Ajo shprehja e turistëve pasionantë që “të gjitha rrugët të çojnë në Romë”, mund të përshtatet fare mirë për një personazh që kohët e fundit po i del shpesh emri në akuza për çështje tronditëse në Shqipëri. Kështu, fare mirë kjo frazë mund të qe, sipas kontekstit dhe vendit ku zhvillohen ngjarjet: “Të gjitha rrugët të çojnë te Balla”.
Janë të paktën 5 skandale ku Balla është shënjestruar, jo vetëm nga kundërshtarët e tij politikë, por edhe nga një nënkomisar i policisë së shtetit, Emiljano Nuhu dhe qytetarë që denoncojnë në faqen e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Në rend kronologjik, një rikujtim i çdonjërit prej tyre:
3.4 milionët e “Toyota Yaris”
Taulant Balla qeshte me të madhe kur Lulzim Basha e akuzonte nga foltorja e Kuvendit se i ishte zbuluar “Toyota Yaris” me miliona euro. Nuk vonoi shumë dhe pas pak ditësh në Portin e Durrësit u bllokuan 2 “Toyota Yaris” me 3.4 milionë euro. Pas disa arrestimesh, ende prokuroria nuk ka zbardhur nëse Balla ka të bëjë apo jo me trafikimin e parave të pista.
Njohja me Edmond Begon
Edmond Bego është një biznesmen i dënuar për trafik droge. Partia Demokratike ka akuzuar Ballën për lidhje miqësore me të, ndërsa kreu i Grupit Parlamentar të PS-së nuk ka mohuar se njihet me familjen e tij, gruan dhe djemtë. “Sigurisht që e njoh. I njoh gruan dhe dy fëmijët e tij. Djalin e ka moshatar me djalin tim. Kurrë nuk i është dhënë një mburojë këtij njeriu dhe këtë përgjigje e ka dhënë dje Policia e Shtetit.”, ka thënë ditë më parë Balla.
Kundërshtarët politikë thanë se Balla e ka favorizuar Begon në fitimin e disa tenderave në Elbasan.
Kërcënimi i nënkomisarit të Policisë së Shtetit
Rasti i dëshmisë së nënkomisarit Emiljano Nuhu mund të quhet pa frikë pika e vlimit, mes skandalesh ku është përfolur Balla. Jo vetëm për thellësinë e shkeljes së ligjit, ku për dy deputetë socialiste dëshmohet se nën kërcënimin e pistoletës kanë shantazhuar një efektiv policie por edhe për dhunimin brutal e përdorimin më pas të një vajze të re.
Roli i Ballës, sipas Nuhut, ka qenë ai i shantazhuesit për të mbyllur çështjen, pas dëshmisë së Xhisiela Malokut kundrejt Rexhep Rrajës, djalit të deputetit tjetër socialist, Rrahman Rrajës. Balla? Sigurisht që atë ditë ishte për peshk. Nga ato që thotë.
Nën shoqërinë e Maksim Beçës
Por një strategji tjetër zgjodhi të përdorë socialisti Balla. Ndryshe nga lidhja e përfolur me Begon, në rastin e Maksim Beçës, jo vetëm që përgënjeshtroi prezencën e tij por ironizoi edhe Berishën, i cili iu përgjigj flakë për flakë me videon që nuk linte më vend për dyshim, pas publikimit të fotos. Beça është arrestuar në vitin 2015 për kokainë.
Një përgjim i papritur
Që të përmendej emri i Fatmir Xhafajt, ministrit të Punëve të Brendshme, mund edhe të pritej, por që për çështjen e audiopërgjimit të vëllait të tij të dilte në skenë sërish emri i Ballës qe vërtet për t’u habitur.
Fredi Alizoti, që prokuroria e ka dëshmitarin kyç, pasi sipas saj ka bërë zërin e Agron Xhafajt në përgjimet për drogën, dëshmoi dje në një tjetër përgjim se është marrë në makinë nga drejtori i policisë Ardi Veliu dhe i është dhënë kafe nga Taulant Balla. Bisedat janë zhvilluar në sfond lekësh, “me ne, me ata”, “dërgim jashtë” etj.
Pse te gjitha rrugët të çojnë te Taulant Balla dhe jo te Pandeli Majko, fjala vjen?! /Hashtag.al