Artan Hoxha, këmbëngul në idenë e tij për të zhvlerësuar audiopërgjimin ndaj Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Ndërsa ishte i ftuar mbrëmjen e kaluar në emisionin “Repolitix”, publikoi një foto të Fredi Alizotit, që shfaqej nën shoqërinë e Sali Lushaj, i njohur si eksponent i afërt brenda Partisë Demokratike.
Mirëpo Ylli Rakipi, gjithashtu i ftuar në studio, i kthye Hoxhës duke i thënë: “Sali Lushajn e kam takuar edhe unë. Kjo është foto që s’tregon gjë.”.
Kujtojmë se edhe në studion e emisionit ‘Opinion’ të Blendi Fevziut, Hoxha e pyeste deputetin Ervin Salianji, nëse përgjimi i dytë, ishte bërë tek lokali i Partisë Demokratike.
Salianji publikoi një video dy ditë më parë, ku Fredi Alizoti thoshte se i ishte bërë presion nga Ardi Veliu dhe Taulanti (që mendohet të jetë Taulant Balla) për të thënë se zëri në audio është i tiji dhe jo i Agron Xhafajt. Alizoti deri pak ditë më parë konsiderohej si dëshmitari kyç i Prokurorisë për të provuar se Agron Xhafaj s’kishte lidhje me përgjimin.
Ndërkohë që Hoxha mundohej të zhvlerësonte audiopërgjimin dhe videot e PD-së, avokati Çlirim Gjata i thoshte: “O zotëri, je i vetmi në llojin tënd, që investigon investigimin.”