“Në Shqipëri po pastrohen paratë e krimit dhe të drogës.” – shkruan deputetja e Partisë Demokratike, Tabaku, që i referohet raportit zyrtar të Indeksit të Baselit, që bëhet i dyti institucion, pas Departamentit Amerikan të Shtetit që ngre alarmin.
Sipas Tabakut, që citon raportin, lojërat e fatit, hoteleria dhe pikat e këmbimit janë fushat kryesore ku ndodh pastrimi i parave të krimit të organizuar.
Më tej deputetja demokrate tha se sipas të gjitha raporteve ndërkombëtare, Shqipëria konsiderohet si lavatriçe e pastrimit të parave.
“Ndërsa qeveria dhe mazhoranca akuzojnë në kor opozitën se e ka fajin për cdo të keqe që ndodh në këtë vend, Indeksi i Baselit, treguesi më zyrtar për pastrimin e parave, bëhet raporti i dytë ndërkombëtar që vendos alarmin se në Shqipëri po pastrohen paratë e krimit dhe të drogës.
Mbas Departamentit Amerikan të Shtetit, Indeksi i Bazelit, nënvizon edhe një herë Shqipërinë si një vend ku pastrohen paratë dhe që nuk ka asnjë përmisim të ndjeshëm në raport me një vit më parë. Lojërat e fatit, ndërtimi dhe hoteleria dhe pikat e këmbimit janë fushat kryesore ku kjo ndodh.
Për fatin e keq, raporti nënvizon që Shqipëria është një vend i përfshirë në afera të korruptive dhe pastrimit të parave.
Raportet e Bankës së Shqipërisë që flasin për sasi marramendëse të eurove që blihen nga ajo për të sjellë brenda një logjike ekonomike kursin e këmbimit, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit apo edhe ai i EUROPOL si dhe së fundmi deklaratat e zotit Kukan janë disa prej zërave që transmetojnë të njëjtin shqetësim.
Shqipëria, sot është kthyer në djepin e preferuar të kriminelëve për të pastruar paratë. Indeksi i Bazelit 2018 nënvizon qartë se Lavatriçja më e madhe në Ballkan jemi fatkeqësisht ne, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë përmirësime të ndjeshme.
Jo vetëm kaq por në renditjen e vendeve me të ardhura të mesme, ne renditemi pranë Venezuelës, Botsvanas apo edhe Meksikës.
Një shenjë tjetër domethënëse është se Shqipëria në këtë raport renditet e treta në renditjen për vendet e Ballkanit Perëndimor duke pasur para vetes Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën.
Përditë e më shumë, gjithnjë e më fort raportet ndërkombëtare flasin për të vërtetat që opozita ka vite që i thërret ndërsa qeveria përpiqet të maskojë të vërtetën me gënjeshtrat që fabrikon në zyrat e propagandës.
Ndaj mos u shqetësoni kur të dëgjoni të tjera fjalë për një vend që të gjitha raportet ndërkombëtare fatkeqësisht e konsiderojnë lavatriçen perfekte të parave të pista.” – shkruan Tabaku në “Facebook”.
*Raportin mund ta lexoni Këtu