Pak ditë më parë në një konferencë për mediat, kryeministri Rama lajmëroi mbylljen e të gjitha kazinove dhe lojërave të fatit, duke përfshirë këtu pikat e lotarive sportive në mbarë vendin.
Kreu i qeverisë sqaroi se kazinotë dhe lojërat e tjera të fatit do zhvedoseshin jashtë qendrave të banuara në zona të përqenduara për këtë arsye.
Edhe në ditët që pasuan, Rama, herë me deklarata e herë me postime në rrjetet sociale ka theksuar se pikat e basteve sportive do mbyllen, madje edhe ato online, pasi sipas tij ato shërbejnë për pastrimin e parave të pista dhe dëmtojnë ekonomitë familjare dhe shoqërinë.
Kësaj fushate për mbylljen e pikave të lotarive sportive deri tani i shpëton një kompani e quajtur “Bast Arena”. Kjo e fundit ka njoftuar se është e vetmja kompani e licencuar për baste sportive online dhe nuk preket nga ndryshimet ligjore që ka paralajmëruar kryeministri Rama.
Emri zyrtar i kompanisë ‘Bast Arena’ është ‘Universe SH.A’. Ajo rezulton e regjistruar me adresë; Lagjja nr. 13, Rruga e ‘Palmave’, ndërtesa nr. 4, hyrja nr. 10, ap. 1 në qytetin e Durrësit.
Kjo kompani është licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF), në datën 30 Qershor 2017, fillimisht si OJF dhe është regjistruar si biznes aktiv në QKB, në datën 5 korrik 2017 me Nipt: L71904512F.
Objekti i veprimtarisë së ‘Bast Arena’ rezulton në fushën e biznesit të basteve elektronike në distancë. Ky është i vetmi monopol 30 vjeçar, që ushtron biznes bastesh elektronike në distancë në Shqipëri, miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, Nr. 684, datë 22.11.2017 me objekt: ‘Për përcaktimin e kushteve dhe kërkesave teknike, që duhet të plotësojë subjekti, që do të licensohet për kategorinë ‘Lojërat elektronike të fatit në distancë’.
Administratori zyrtar i kompanisë në fjalë është Dritan Jeminaj. Ndërkohë para regjistrimit të kompanisë, në datën 19.09.2017 janë propozuar si anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës, Suleyman Cihan Onerci dhe Ozan Isgordu.
Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga turko-qipriotët, Suleyman Cihan Onerci, Ibrahim Aktas, Raci Genc, Ozan Isgordu dhe Ekin Genc.
Sipas dosjes në QKB, ‘Bast Arena’ përfaqësohet nga 2 emra zyrtarë; ‘Universal Softëare Solutions N.V’ (30%) e regjistruar me emrin ‘Universe SHA’ nga Autoriteti Mbikëqyrjes të Lojërave të Fatit (AMLF) dhe me tjetrin ‘MAREN’ (70%). Të dyja me origjinë offshore.
Organizatorët e kategorive ‘Baste sportive’ dhe ‘Baste për garat në pistë’ do të ushtrojnë aktivitetin e tyre deri në datën 31 dhjetor 2018’, thuhet në shtesën ligjore të propozuar nga qeveria.
Ligji aktual parashikonte mbylljen e kazinove elektronike dhe bingove tradicionale të licencuara para hyrjes në fuqi të ligjit me përjashtim të Kazinosë dhe Lotarisë Kombëtare, të cilat janë licencuar me ligje të veçanta.
Ligji parashikonte gjithashtu disiplinimin e basteve sportive, përmes krijimit të distancave nga njëra pikë bastesh te tjera dhe nga pika e basteve te institucionet arsimore dhe fetare.
Por në deklaratën e fundit të Ramës, të githa pikat e lotarive sportive do të mbyllen në bllok dhe e vetmja që mbetet në treg është “Bast Arena”. /Hashtag.al