Kreu i Partisë Demokratike, Basha ka deklaruar se kryeministri Rama, ministri i Brendshëm Xhafaj, kreu i Krimeve të Rënda, Prela dhe ai i policisë, Veliu duhet të ishin sot nën hetim.
Siç mbrojtën dje ish-ministrin e Brendshëm Tahiri dhe kupolën e drogës në polici, sot të gjithë emrat e lartpërmendur, thekson Basha, janë bërë bashkë për të mbrojtur vëllain e ministrit, Agron Xhafajn.
Ai ka publikuar një video në faqen e tij në “Twitter”, me të cilën shoqëron edhe postimin.
“Siç mbronte dje Tahirin dhe kupolën e trafikut të drogës në polici, mbron sot Xhafën dhe Veliun. Rama, Xhafa, Balla, Prela duhet të ishin sot nën hetim, dhe Ard Veliu në arrest, për fabrikimin e provave dhe pengimin e drejtësisë për të mbrojtur narkotrafikantin Agron Xhafaj!” – shkruan Basha në “Twitter”.
PD ka akuzuar prokurorinë e Krimeve të Rënda se është vënë në shërbim të Ramës e Xhafajt për të shpëtuar vëllanë e këtij të fundit.