Agjencitë amerikane të inteligjencës janë gjithnjë e më të bindura se princi i kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, është përgjegjës për zhdukjen e gazetarit arabo-saudit me nënshtetësi amerikane, Jamal Khashoggi dhe ekzekutimin e mundshëm të tij në datën 2 tetor, shkruan “New York Times”.
Megjithatë agjencitë nuk kanë gjetur ende prova të pakundërshtueshme që vërtetojnë përfshirjen direkte të princit të kurorës, ndërsa nuk dihet ende nëse Mohammed bin Salman urdhëroi ekzekutimin e Khashoggit apo qëllimi i tij ishte kapja dhe kthimi i tij në Arabinë Saudite.
Sipas “New York Times”, ekzistojnë tashmë emrat dhe fotografitë e ekipit prej 15 personash nga Arabia Saudite që udhëtuan në Stamboll në datën 2 tetor ndërsa shkruan më tej se Turqia ka regjistrimet audio të ekzekutimit të Khashoggit.
7 nga 15 personat që u futën në konsollatë më 2 tetor janë pjesë e stafit që merret me sigurinë e princit të kurorës.
Sipas “NYT”, agjentët nga Arabia Saudite po e prisnin Khashoggin brenda konsullatës. Gazetari që punonte për “Washington Post” u ekzekutua brenda pak minutash duke u shpërbërë krejtësisht dhe pas 2 orësh dhe më pas ekipi prej 15 personash u largua nga konsollata, citon gazeta një zyrtar i lartë turk.
Sipas Turqisë, ekzekutimi i Khashoggit është regjistruar nga ora e tij Apple, që ka qenë e lidhur me celularin iPhone, të cilin gazetari e kishte lënë jashtë konsullatës.
E përditshmja turke “Sabah” pohoi se zyrtarët sauditë u përpoqën të fshijnë fillimisht regjistrimet duke u përpjekur të gjejnë PIN-in e Khashoggit në orë, pastaj duke përdorur gishtin e gazetarit.
Dhe ndërsa është e vërtetë se një ora “Apple” mund të sinkronizohet teorikisht me një “iPhone” aty pranë, nëse pajisjet kanë një lidhje “Bluetooth”, “Sabah” nuk ka shpjeguar se si regjistrimet e supozuara arritën të dalin nga konsullata saudite.
Ky regjistrim thuhet se është shqyrtuar nga hetuesit turq, të cilët deri më tani nuk kanë konfirmuar as mohuar ekzistencën e tij.
Khashoggi u pa për herë të fundit të hynte në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor, ndërsa nuk është parë që të dalë më prej aty. /Hashtag.al
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e New York Times