Deputetët që votuan pro nismës për ndryshimet kushtetuese për ndryshimin e emrit të Maqedonisë janë përjashtuar nga partia VRMO-DPMNE . 8 deputetë që dje kanë votuar pro këtyre ndryshimeve kushtetuese janë përjashtuar nga partia.
“Tetë deputetë të opozitës kanë tradhëtuar dëshirën e qytetarëve pasi ata janë kushtëzuar dhe kërcënuar. Ju janë ofruar edhe para. Desha t’i falemnderoj deputetët që nuk ranë preh të kërcënimeve dhe kushtëzimeve. Jo të gjithë pranuan frikë. Unë nuk mund t’i arsyetoj ata që ikën nga rruga e Maqedonisë”, theksoi Mickoski, lideri i VMRO-DPMNE-së.
Ai për deputetët që votuan pro ndryshimeve kushtetuese tha se Komiteti Ekzekutiv njëzëri dhe menjëherë ka përjashtuar tetë deputetët e kësaj partie.
“Komiteti Ekzekutiv sonte ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme dhe me kërkesën time vendosi dhe përjashtoi nga partia deputetët Krsto Mukoski, Saso Vasilevski, Ljuben Arnaudov, Elizabeta Kançeska-Milevska, Zekir Ramçiloviç, Nola Ismajloska – Starova dhe Emilija Aleksandrova”, theksoi Mickoski.
Një ditë më parë Kuvendi i Maqedonisë siguroi votat për të miratuar nismën për ndryshimet kushtetuese, që i hapin rrugë kështu ndryshimit të emrit nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut, e po ashtu edhe rrugën drejt integrimit euroatlantik të fqinjit tonë. Në Kuvend votuan pro 80 deputetë, sa 2/3-tat e nevojshme për ndryshime kushtetuese.