Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dhe ish-deputeti socialist Arben Çuko, është arrestuar ditën e djeshme, pas akuzave se është përfshirë në korrupsion pasiv.
Ky është rasti i dytë një vit pas arrestimit të një tjetër ish-drejtori të Burgjeve – Artur Zoto, gjithashtu i akuzuar për korrupsion. Këto janë dy rastet e rralla, se si një drejtor bugjesh, përfundon vetë në burg.
Arben Çuko
Arben Çuko dyshohet se është i përfshirë në korrupsion pasiv, gjatë kohës që ushtronte detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Ish-deputeti socialist është i ndaluar dhe po mbahet aktualisht në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Çuko është zbuluar nga përgjimet e një grupi të përfshirë në trafik droge. Dyshohet se për lejet që u jepte të burgosurve merrte para.
Ish-drejtori i Burgjeve, u shkarkua nga detyra në datë 3 shtator nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj pasi dyshohej se ishte përfshirë në një rast korrupsioni.
Më herët Arben Çuko ka qenë Komandant i Gardës së Republikës, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare.
“Policia e Shtetit ka ekzekutuar urdhër arrestin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve Arben Çuko. Arben Çuko dyshohet se është i përfshirë në korrupsion pasiv, gjatë kohës që ushtronte detyrën e Drejtorit të Burgjeve. Urdhër arresti u ekzekutua sot pasdite dhe aktualisht Çuko është i ndaluar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.” – thuhet në njoftimin e policisë.
Artur Zoto
Ish-drejtori i Burgjeve Artur Zoto, u arrestua në shkurt të vitit të kaluar pas akuzave për korrupsion.
Hetimet për të nisën kur u arrestua ish-zëvendësi i tij Iljaz Labi.
“Me kerkese te Prokurorise per Krime te Renda, gjykata ka vendosur masen e sigurise “arrest me burg” per ish-drejtorin e Pergjithshem te Burgjeve, Artur Zoto, i dyshuar per “korrupsion pasiv”, ne kuader te hetimit te nisur pak kohe me pare, ku u arrestua edhe ish-zevendesi i tij, Iljaz Labi. Urdheri i arrestit eshte zbatuar nga Policia e Shtetit pasditen e sotme”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
Në maj të këtij viti, Zoto u dënua me 5 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ndërsa katër muaj më vonë ai u shpall i pafajshëm.
Ai ishte dënuar me 5 vite burg nga Gjykata e Shkallës së parë për korrupsion në tenderat e ushqimit në burgje. Ai ishte dënuar gjithashtu me heqje të së drejtës për funksione publike.
Në një proces të gjatë ku dëshmuan përveç biznesmenëve të përfshirë në aferën që u hetua, dëshmoi edhe zëvendësdrejtori i Burgjeve, Iljaz Labi, i cili e akuzonte Zoton si përgjegjësin dhe përfituesin e ryshfeteve të biznesmenëve që fitonin tenderat për ushimin e të burgosurve. Por muajin e kaluar ai u lirua në Gjykatën e Apelit, që i dha pafajësinë./Hashtag.al