Presidenti rus, Vladimir Putin ka deklaruar së fundmi se mund të takojë Donald Trumpin në Paris në fillim të nëntorit. Këtë deklaratë Putin e bëri gjatë bisedimeve me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së John Bolton në Moskë.
“Do të ishte e dobishme të vazhdojmë një dialog të drejtpërdrejtë me presidentin amerikan, në periferi të ngjarjeve ndërkombëtare që janë planifikuar të ndodhin në të ardhmen e afërt, në Paris, për shembull,” i tha Putin Boltonit gjatë një takimi në Kremlin kur ai foli për bisedimet e tij të mundshme me Trump.
Putini i referohet një ngjarjeje që shënon 100 vjetorin e fundit të Luftës së Parë Botërore, e cila pritet të zhvillohet në Paris më 11 nëntor.
Bolton, nga ana tjetër, i tha Putinit se presidenti amerikan “do të ishte i lumtur” ta takonte atë në Paris. Ai gjithashtu u pajtua se Moska dhe Uashingtoni duhet të vazhdojnë dialogun.
Burimi: RT