Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria, me borxhin më të lartë në rajon


Shqipëria vijon të ketë borxhin më të lartë publik në rajon dhe ndër ta parat në Europë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Në fund të tremujorit të dytë të 2018 borxhi publik në Shqipëri ishte 66.3 për qind e PBB, duke u renditur në vendin e 15 ndër  34 vende të Europës dhe Rajonit të Ballkanit, sipas të dhënave të Eurostat dhe Komisionit Europian.

Në rajon, Shqipëria ka nivele të ngjashme borxhi me malin e Zi, ndërsa Serbia që dikur kryesonte, me mbi 70% e ka ulur këtë tregues në 55.9% të PBB-së në fund të tremujorit të dytë. Maqedonia ka një borxh rreth 44% të PBB-së, Bosnja 36.3 dhe më të ulëtin e ka Kosova, me rreth 16%.

Mesatarja e borxhit në 28 vendet anëtarë arriti në 81.5% të PBB-së në 81.0% të PBB-së. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2017, raporti i borxhit ne BE ra nga 83.4% në 81.0%, sipas Eurostat.

Në fund të tremujorit të dytë të vitit 2018, letrat me vlerë të borxhit përbënin 81.1% të eurozonës dhe 81.9% të borxhit të përgjithshëm të BE-së.

Raporti më i lartë i borxhit të qeverisë ndaj PBB-së në fund të tremujorit të dytë të vitit 2018 u regjistrua në Greqi (179.7%), Itali (133.1%) dhe Portugali (124.9%) dhe më e ulëtat u regjistruan në Estoni (8.3%), Luksemburg 22.0%) dhe Bullgari (23.8%).

Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2018, gjashtë shtete anëtare regjistruan një rritje të borxhit të tyre ndaj PBB-së në fund të tremujorit të dytë të vitit 2018.

Rritjet më të larta u regjistruan në Qipro (+10.6 pikë përqindje – pp), Letonia (+1.4 pp), Mbretëria e Bashkuar (+1.1 pp) dhe Sllovakia (+1.0 pp).

Zvogëlimi më i madh u regjistrua në Slloveni (-2.8 pikë përqindjeje), në Gjermani (-1.2 pikë përqindjeje), në Holandë (-1.1 pikë përqindje) dhe në Lituani (-1.0 pikë përqindjeje).

Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2017, vetëm tre shtete anëtare regjistruan rritje të borxhit të tyre ndaj PBB-së dhe njëzet e pesë shënuan ulje. Ulje u e borxhit në raport me PBB u regjistrua edhe në Shqipëri.

Rritje u regjistrua në Greqi (+3.5 pikë përqindje), në Mbretërinë e Bashkuar (+ 0.3 pikë përqindjeje) dhe në Sllovaki (+ 0.1 përqind), ndërsa zvogëlimet më të mëdha u regjistruan në Slloveni (-7.4 pikë përqindjeje), Lituani (-6.5 pikë përqindjeje ), Irlanda (-6.4 pp), Portugalia (-5.9 pp) dhe Malta (-5.5 pp).

KLSH, borxhi më i lartë sesa deklarohet

Në fund të 2017-s, borxhi publik i vendit zbriti në 69.9% të PBB-së, nga 72.4% në 2016-n, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave. Por, Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportin për buxhetin faktik 2017 ka konstatuar se treguesi i borxhit nuk ka marrë në konsideratë detyrimet e prapambetura. “Nga  auditimi konstatohet se deri në fund të vitit  2017, sipas vetëdeklarimeve të enteve buxhetore, të raportuara nga Ministria e  Financave  dhe  Ekonomisë  janë  akumuluar  detyrime  të  prapambetura  në  shumën 16  miliardë lekë dhe sipas auditimit të KLSH vlera e detyrimeve të  prapambetura ka rezultuar në shumën jo  më pak  se 19  miliardë lekë”, konstaton KLSH.  Vlera  e  detyrimeve të prapambetura, si shpenzim i konstatuar, nuk është raportuar në  tabelën e treguesve fiskalë, cka do t ë sillte nj ë deficit mbi 2% t ë PBB, por është  raportuar si shpenzim i periudhave të ardhshme. Nëse merren në konsideratë këto detyrime, stoku i borxhit publik të raportuar, nga 1,088  miliardë lekë, do të  ishte në rreth 1,104  miliardë lekë, i cili  në raport me PBB do të jepte një tregues  të borxhit në nivelin  mbi 71%.  Nëse  marrim  në konsideratë edhe  shlyerjen  e  stokut  të rimbursimit  të TVSH  në vlerë 11  miliardë lekë, borxhi publik do të jepte një tregues në nivelin 72%  të PBB, sipas KLSH.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *