Opozita duket se nuk po mjaftohet me dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, por kërkon edhe largimin e kryeministrit.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, dhe ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, kanë reaguar duke kërkuar edhe largimin e kryeministrit Edi Rama.
“Ik o Edvin , ik se qelbe dynjane!”, shkruan fare shkurt Paloka.
“Po ky kryeminister i shplare politikisht dhe moralisht, pa te shkuar dhe pa asnje te ardhme ç’ben akoma ne ate zyre.
Apo sigurisht zvarritet edhe ca, per te ikur turpshem dhe pa asnje dinjitet sic vetem ai mund te iki.”, thotë Vasili nga ana tjetër, i cili ishte i pari që reagoi nga opozita.
Mëngjesin e sotëm kryeministri Rama njoftoi përmes një postimi në twitter, se Fatmir Xhafaj kishte dhënë dorëheqjen.
Po ashtu ai propozonte në vendin e Xhafajt, ish-gjeneralin e Forcave të Armatosura, Sandër Lleshin.
“Pranova dorëheqjen e ministrit Xhafaj, të cilin e falenderoj për kontributin e çmuar.Gjeneral Sandër Lleshi do të sjellë një energji të re pozitive në krye të Punëve të Brendshme.Traseja është e shtruar.Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse.”, shkruante Rama.