Ministria e Financave raportoi se borxhi publik arriti në 66.00 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke u rritur me gati 1 pikë përqindje në raport me tremujorin e dytë të vitit, ku raporti i borxhit me PBB-në ishte 65.1%.
Në fund të muajit shtator 2018, borxhi i Qeverisjes Qendrore u vlerësua në nivelin 1,089 miliard lekë nga 1,087 miliardë lekë në fund të gjashtëmujorit, duke u rritur me 1.6 miliardë lekë, ose rreth 13 milionë euro.
Ministria e Financave duke iu referuar deficitit buxhetor të planifikuar, parashikimeve të rritjes ekonomike dhe kursit të këmbimit, në fund të vitit 2018 llogarit që borxhi i Qeverisjes Qendore në raport me PBB pritet të ulet me rreth 1.0 pikë përqindje krahasuar me vitin e kaluar, duke arritur ne 68.9% e PBB-së, teksa projeksionet për vitin që vjen janë që treguesi në fjalë të arrijë në 68.9% e PBB-së.
Në fillim të çdo viti qeveria raporton vlera të ulta të raportit borxh PBB, për shkak se stoku i borxhit matet në raport me PBB-në e fundit të vitit. Por kur masa e boraxhit nis të rritet përgjatë vitit për shkak të borxhit të ri dhe PBB mbetet e njëjtë, në fund të vitit gjithmonë kemi një raport më të lartë të borxhi në raport me Prodhimin e Brëndshëm. Ndaj shifra më e saktë e borxhit në përqindje të PBB është rezultati i borxhit pas muajit mars të vitit 2018, kur të dalin rezultatet reale të rritjes ekonomike për vitin 2018.
Peshën më të madhe në stokun e borxhit të qeverisjes qendrore vazhdojnë ta mbajnë instrumentet e tregtueshme (bono thesari, obligacione, eurobond) dhe huatë e huaja me destinacion financimin e projekteve.
Niveli i borxhit të brendshëm dhe atij të jashtëm në raport me totalin e borxhit të qeverisjes qendrore janë përkatësisht rreth 54% dhe 46%, duke ruajtur pothuajse të njëjtat raporte me fundin e vitit të kaluar, si edhe duke qenë në linjë me objektivat e vendosura në kuadër të menaxhimit të riskut të kursit të këmbimit.
Për sa i përket kompozimit të portofolit të borxhit të jashtëm, peshën më të madhe të stokut të borxhit të jashtëm vazhdon ta mbajë borxhi me terma koncesionale, duke mundësuar optimizimin e kostove dhe diversifikimin e burimeve të financimi.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al