Departamenti i Shtetit tha se Pompeo dhe Kim Yong Chol, këshilltar i lartë i udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, do të diskutojnë se si “të bëjnë përparim në katër shtyllat e vendosura gjatë takimit të nivelit të lartë në Singapor, duke përfshirë arritjen e denuklearizimit përfundimtar dhe të verifikuar plotësisht” të Koresë së Veriut.
Në samitin e tyre të rëndësishëm në qershor, Trump dhe Kim nënshkruan një deklaratë për denuklearizimin e gadishullit korean por palët kanë patur mosmarrëveshje lidhur me ritmin e përpjekjeve të Phenianit për t’i dhënë fund programit të armëve bërthamore.
Koreja e Veriut paralajmëroi javën e kaluar se do të shikojë mundësinë e rigjallërimit të programit të armëve bërthamore nëse Shtetet e Bashkuara nuk i heqin sanksionet e ashpra ekonomike të vendosura ndaj saj.