Prokuroria ka administruar si provë në hetimin ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, vendimin e gjykatës së Katanias në Itali, të cilin e paraqiti pak ditë më parë në një konferencë për shtyp.
Ky vendim është bërë pjesë e dosjes për të cilën ish-ministri është nën hetim nga Krimet e Rënda.
Sipas pretendimit të Tahirit, me kërkesën e tij, anti-mafia italiane kishte hetuar përfshirjen e ish-ministrit në trafikun e drogës dhe në fund gjykata kishte vendosur pushimin e çështjes duke qenë se nuk kishte gjetur asnjë provë për përfshirjen e tij në trafik ndërkombëtar droge.
Pas publikimit të vendimit, Partia Demokratike e quajti të pavlefshëm dokumentin e paraqitur prej Tahirit duke qenë se ish-ministri po hetohet në Shqipëri për trafik ndërkombëtar droge në bashkëpunim me Habilajt dhe për lehtësirat që u ka krijuar atyre në trafik dhe jo në Itali, kësisoj dokumenti nuk provon asgjë por është thjesht presion ndaj prokurorisë në çështjen ndaj tij.