Vendosni fjalën kyçe....

“Kemi njerëz të sëmurë”, bllokohen hyrje-daljet nga Fushë-Kruja në Durrës (VIDEO)


Banorët e plot 7 fshatrave të Fushë-Krujës kanë mbetur të bllokuar, duke mos patur mundësi të kalojnë në qytet, për shkak të punimeve për rehabilitimin e aksit Vorë – Kthesa Rinas – Fushë Krujë.

Ndërkohë që për punimet në Vorë dhe në Rinas u bënë lajmërime publike, kur këto punime u zhvendosën tek Ura e Gjoles (në Fushë-Krujë) banorët nuk janë lajmëruar.

Punonjësit kanë bllokuar dy urat, duke bllokuar kështu të gjitha hyrje-daljet nga Fushë-Kruja në Durrës dhe anasjelltas.

Fshatrat Bilaj, Bubq, Mazhe e Madhe, Mazhe e Vogël, Murqinë, Ura e Gjolës dhe Budull, të rrethit të Krujës, nuk kanë asnjë mundësi lidhjeje me Fushë-Krujën, vetëm në rast se kalojnë nga Rinasi, në Tiranë, Kamëz e në fund në Fushë-Krujë.

E njëjta gjë vlen edhe për banorët e Ishmit të rrethit të Durrësit, një pjesë e mirë e të cilëve kalojnë çdo ditë në Fushë-Krujë për arsye pune, por sot nuk mundën pasi u ndeshën me aksin e bllokuar. Edhe atyre u duhet të kalojnë nga Durrësi, Tirana për në Fushë-Krujë.

Një banor shprehet për “Hashtag.al” se nuk janë lajmëruar se sot do bllokoheshin të dyja urat te Ura e Gjoles, e ndërsa nuk ka asnjë tabelë për të treguar se ka punime. I njëjti burim tha se në një moment, ka patur përplasje mes drejtuesve të automjeteve dhe punonjësve, që gati sa nuk kaloi në një konflikt fizik. Por situata u qetësua me ndërhyrjen e banorëve.

Siç shikohet në videon e mëposhtme, në Urën e Gjoles është krijuar kaos, ku drejtuesit kanë dalë nga makinat, duke u ankuar se duhet të ikin në punë.

 “Çudirat shqiptare, ça bëhet në Shqipërinë tonë. Bllokohen 7 fshatra. Kemi rob të sëmurë atje”, dëgjohet një person.

Po ashtu edhe drejtuesit e automjeteve që vijnë nga Shkodra e Lezha drejt këtij aksi për të kaluar në Durrës, kanë mbetur të bllokuar. Ose ka nga ana që vijnë nga Durrësi për Shkodër, e detyrohen të kthehen edhe njëherë për të kaluar nga Tirana.

Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor informuan median dhe opinionin publik se duke nisur nga data 13 Shtator 2018, në kuadër të projektit të mirëmbajtjes me performancë të Bankës Botërore, do të fillonin punimet për rehabilitimin e aksit Vorë – Kthesa Rinas – Fushë Krujë.

Kohëzgjatja e punimeve për rehabilitimin e segmentit nga Kthesa e Doganës së Tiranës deri tek kthesa për Prezë ishte parashikuar për 45 ditë.

Por ndërkohë që media dhe opinioni publik u mbajtën të informuar përgjatë kësaj kohe, kur punimet kaluan në tjetër fazë, dhe lidhja e këtyre 7 fshatrave me Fushë-Krujën u bllokua, askush nuk u lajmërua./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *