Presidenti shqiptar, Ilir Meta, është takuar sot me homologun e tij francez, Emmanuel Macron.
Presidenti Meta ndodhet në Francë, ku është i ftuar që të marrë pjesë në ceremoninë, e cila përkujton përfundimin e Luftës së Parë Botërore (1914-1918) dhe viktimat e shkaktuara prej saj.
Në këtë ceremoni marrin pjesë presidenti amerikan, Trump, kancelarja gjermane Merkel dhe liderë të shumtë nga vende të tjera nga mbarë bota.
Njoftimin e takimit e ka bërë vetë kreu i Shtetit shqiptar, i cili shkruan se marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe forcimi i BE-së, kishin qenë çështjet kryesore rreth të cilave ishte diskutuar.
“Shumë i lumtur të takoj Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, të shpreh vlerësimet për marrëdhëniet tradicionale dhe të shkëlqyera mes dy vendeve dhe rëndësinë e dinamizmit të tyre e njëkohësisht rolin e tij për një Europë më të fortë e më të bashkuar.” – shkruan Meta në faqen e tij në “Facebook”.