Pasi tejkaluan të gjitha afatet ligjore, ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, nuk u paraqit në burgun e Shutkës për të kryer dënimin prej dy vite, që gjykata i dha për rastin ‘Tanku’.
Por edhe pse Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka lëshuar urdhër arresti dhe Gruevski mund të arrestohet edhe me forcë nga policia, ai ende nuk është kapur.
Vendodhja e ish-kryeministrit nuk dihet, ndërsa truprojat e tij thonë se për herë të fundit e kanë parë të enjten.
“Siç e dimë, truprojat e tij para Sektorit për Kërkim në Ministrinë e Brendshme thanë se e kishin parë për herë të fundit të enjten në mbrëmje më 8 nëntor, kur e kanë lënë në shtëpi. Për ta siguruar atë, ai duhet t’i telefonojë ata nëse ai del jashtë. Të premten, ai nuk i thirri fare, siç ka ndodhur edhe më herët, pasi ai nuk dilte çdo ditë. Nuk i ka thirrur sigurimin as në fundjavë dhe madje as edhe sot, deri në urdhër arrestin”, thonë nga Gjykata Themelore Shkup 1, të cilët e kanë kërkuar tre herë të premten dhe sërish dje nuk e gjetën në shtëpi.
Mbrëmjen e kaluar, policia bëri edhe njëherë përpjekje për të gjetur Gruevskin. Njësiti policor Alfa janë drejtuar edhe para selisë së VMRO-DPMNE-së dhe kanë kontrolluar çdo makinë që ka dal nga parkingu nëntokësor ku sipër saj gjendet selia. Por nuk janë futur në seli, pasi ende presin një loeje nga Gjykata për ta bërë këtë.
Edhe avokati i Gruevskit, Dimitar Dangov tha për mediat se nuk di se ku gjendet klienti i tij.