Vendosni fjalën kyçe....

“Kryeministri ishte i vendosur t’i mësonte presidentit Kushtetutën, por doli se e kishte shkelur vetë atë”


“Paligjshmeri, paturpësi dhe papërgjegjshmëri!”, kështu e ka cilësuar praktikën e emërimit të Ministrit të Brendshëm të vendit, nënkryetari i LSI-së, Luan Rama.

Sipas Ramës, kryeministri i vendit u zotua që t’i mësonte Kushtetutën presidentit Meta por më pas pranoi se e kishte shkelur Kushtetutën.

Ndërsa kreu i qeverisë i kërkon me ripropozimin e tij për emrin e Sandër Lleshit që presidenti Meta ta shkelë atë.

“Paligjshmeri, paturpësi dhe papërgjegjshmëri!”

E gjithë praktika e emërimit të Ministrit të Brendshëm mund të përcaktohet me këto tri fjalë: paligjshmëri, paturpësi dhe papërgjegjshmëri!

Sepse ai, Kryeministri pra, në rastin kur nuk u dekretua nga Presidenti i Republikës propozimi i tij i parë për emërimin e Ministrit të Brendshëm, deklaroi se është i vendosur t’i mësojë Kushtetutën Presidentit të Republikës, ndërkohë që me propozimin e dytë, në kushtet e paligjshmërisë flagrante, pasi pranon se e ka shkelur vetë Kushtetutën, i kërkon Presidentit që të bëjë të njejtën gjë, pra që edhe Presidenti të shkelë Kushtetutën!

As më pak dhe as më shumë e gjitha kjo është një paturpësi dhe papërgjegjshmëri, që kur na shfaqet si qasje e Kryeministrit ndaj ligjit dhe ndaj Kushtetutës, është e paprecedentë dhe e patolerueshme!

Mjaftojnë edhe shembuj të tillë që të tjerët, miqtë, partnerët, por edhe ata që nuk na duan, jo vetëm të mos na konsiderojnë e të mos na marrin seriozisht, por të na quajnë me të drejtë qesharakë e karagjozë të pavlerë!

Ndaj e gjej me vend të kujtoj Fan Nolin kur thoshte se “kanë të drejtë dhe ata që qeshin, dhe ata që zemërohen. Se puna është për të qeshur dhe për të qarë…

…Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha”. – shkruan Rama në “Facebook”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *