Vendosni fjalën kyçe....

Mahnitet ambasadorja gjermane: Në Shqipëri, askush nuk qëndron mbi ligjin


Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz, ka deklaruar se në Shqipëri askush nuk qëndron mbi ligjin dhe kjo u tregua me vendimin e marrë dje ndaj Emiljano Shullazit dhe anëtarëve të tjerë të grupit të tij, nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Sipas ambasadores, që përshëndet vendimin e gjykatës, vendimi i djeshëm tregon se në Shqipëri askush nuk qëndron mbi ligjin dhe nënvizon forcën e shtetit ligjor.

“Ambasadorja Schütz rreth vendimeve të Gjykatës për Krimet e Rënda në procesin “Shullazi”

E kam ndjekur me shumë vëmendje procesin ndaj pesë të pandehurve në çështjen Emiljano Shullazi dhe përshëndes faktin që tanimë është marrë një vendim në shkallë të parë. Vendimet e Gjykatës për Krimet e rënda të bëra të ditura ditën e djeshme tregojnë, që askush nuk qëndron mbi ligjin, sikundër nënvizojnë forcën e shtetit ligjor në Shqipëri.

Është e rëndësishme që drejtësia shqiptare të vazhdojë të veprojë kundër krimit të organizuar mbi bazën e ligjit dhe të drejtës. Përmirësimi i bilancit të sukseseve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një nga detyrat qendrore të Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.” – shkruhet në reagimin e ambasadores në faqen e Ambasadës Gjermane në “Facebook”.

Më herët edhe Ambasada Amerikane në Shqipëri e përshëndeti vendimin e marrë ndaj Shullazit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

“Dita e djeshme shënoi një hap domethënës përpara për qytetarët shqiptarë që kërkojnë dhe meritojnë drejtësi të vërtetë nga sistemi i tyre gjyqësor. Ne u inkurajuam nga puna e prokurorëve shqiptarë, të cilët, duke u bazuar në prova, bindën gjykatësit e Krimeve të Rënda se një bos i krimit dhe kriminelë të tjerë e kanë vendin në burg. Përshëndesim shqyrtimin e kujdesshëm të këtij rasti. Vendimi i marrë është një fitore për sundimin e ligjit në Shqipëri. Qytetarët shqiptarë tani pyesin “Kush e ka radhën”?” – thuhet në njoftimin e ambasadës në faqen e saj në “Facebook”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *