Një kor gjithnjë e në rritje kritikësh ka bërë thirrje ndaj Intepolit, që të refuzojë kandidatin rus për të udhëhequr organizatën ndërkombëtare policore, për shkak të frikës se Moska do të abuzonte me presidencën e saj për të shënjestruar kundërshtarët politikë.
Kremlini, nga ana e tij ka denoncuar atë që e quan “ndërhyrje” në votim, një proces i përcaktuar për të mërkurën në konferencën e përvitshme të Interpolit që po zhvillohet në Dubai.
Shqetësime janë rritur për shkak të aplikimeve të mëparshme të Rusisë për të ashtuquajturat “alarme të kuq” në Interpol, një urdhërarresti ndërkombëtar për ata që kanë dalë hapur kundër Kremlinit.
Një zyrtar i Ministrisë së Brendshme ruse, si dhe zv.presidenti aktual i Interpolit, Alexander Prokopchuk, duket të jetë pretendenti për pozicionin e kreut të organizatës.
Në një letër të hapur gjatë kësaj jave, një grup bipartizan senatorësh amerikanë thanë se, duke zgjedhur Prokopchukun do të ishte ngjashëm si të vije “dhelprën në ruajtje të një koteci”.
“Rusia abuzon në mënyrë të vazhdueshme me Interpolin, me qëllimin për të gjetur dhe kapur një sërë kundërshtarësh politikë, disidentë apo gazetarë”, shkruajnë ata. Senatorët thonë madje se Prokopchuk është “përfshirë personalisht” në këtë strategji, që kur është zgjedhur në Komitetin Ekzekutiv të Interpolit.
Delegatët e vendeve anëtare të Interpolit do të zgjedhin presidentin e ri, që do të zëvendësojë Meng Hongëein, i cili fillimisht u zhduk në vendlindjen e tij Kinë, gjatë shtatorit, ndërkohë që më vonë, Pekini zyrtar informoi Interpolin se ai kishte dhënë dorëheqjen pasi ishte akuzuar për ryshfet.
Kandidati tjetër në garë është Kim Jong-Yang i Koresë së Jugut, presidenti aktual në detyrë. Kushdo që do të zgjidhet, do të vijojë mandatin e Mengut deri në vitin 2020.