Vendosni fjalën kyçe....

“Kjo nuk është protestë por përplasje fizike me shtetin” (VIDEO)


Aktivisti dhe pedagogu i Gazetarisë dhe i Komunikimit Ervin Goci, në protestën e mbrëmshme të banorëve të Astirit, ka shprehur shqetësimin për mungesën e policëve gjatë zhvillimit të protestës.

Protestuesit kishin bllokuar rrugën, gjë e cila mund të sillte përplasje me shoferët që kërkonin të kalonin dhe duke marrë parasysh që protesta ishte futur në ditën e tetëmbëdhjetë të saj, autoritetet duhej t’i kishin marrë masat për të ofruar sigurinë e qytetarëve.

Sipas Gocit, kjo mungesë e forcave të sigurisë ka qenë e qëllimtë për të nxitur përplasje mes protestuesve dhe atyre që kërkonin të kalonin.

“Kur vjen për te protesta nuk kishte asnjë polic rrugës. Po ju lënë juve të përplaseni këtu me këta njerëz, që në fund fare janë në punën e tyre, janë duke vajt me siguri për ndonjë hall e ndonjë gjë. Dhe ju lënë juve këtu që të përplaseni, kur shumë mirë ditën e 15-të ata mund ta menaxhonin, të linin policë atje përpara edhe mos t’ju përplasnin ju me njerëzit. Që edhe njerëzit të kryenin punë, të gjenin një rrugë dytësore. Edhe ju të kryenit protestën normal.

Por çfarë bëjnë ata?! Ata ju lënë juve që të përplaseni me të tjerët, në mënyrë që të na fusin neve në vëllavrasje, të na fusin në sherr, të naq fusin në inat me njëri-tjetrin. Dhe ata të rrinë si perëndi atje majë Olimpit, që na shikojnë neve kështu e tallen me ne. Kjo është e para gjë që mua më bëri shumë përshtypje.”, tha Goci.

Më tej pegadogu i gazetarisë tha që kjo nuk ishte një protestë, por një “përplasje fizike me shtetin”, ndërsa bëri një krahasim me qëndresën e artistëve te Teatri si edhe me protestat e ditëve të fundit në Paris.

“Dhe e dyta e punës, mos bëni gabimin ta quani protestë, kjo nuk është protestë. S’ka lidhje me protestën. Protestë është te Teatri. Por edhe tek Teatri protestë është deri në momentin që ata nuk vijnë me buldozerët për të shembur Teatrin, që meqë ra fjala është pasuri edhe e juaja. Ju që luftoni për shtëpinë, është pasuri edhe e juaja.

Në momentin që ata vijnë tek Teatri me buldozerë, për të prishur Teatrin, aty nuk është me protestë, aty është përballje fizike sikurse po bëni edhe ju. Kjo është përballje fizike me shtetin, mos e ngatërroni me protestën. Protestë bëjnë në Paris, jo këtu.

Këtu ka përballje fizike me shtetin. Dhe duhet ta kuptoni që nëqoftëse nuk e përballoni dot fizikisht, e keni të humbur. Sepse keni disa tipa përballë që kanë një skemë shumë të qartë në kokë.

Nuk janë njerëz që ecin në mënyrë emocionale. Janë shumë të qartë. Kanë një plan që e kanë disavjeçar dhe këtu mesiguri duan të bëjnë kulla dhe kanë qëllim të bëjnë kulla. Me këto bëjnë projekte zhvillimi, jua marrin tokën për dy lekë, i fusin një VKM e ju vënë një çmim që duan ata, dhe do ju vijnë e do ua marrin një nga një. Po jua them unë emrat kush do jua marri, do jua marrin të gjithë këta oligarkët, që marrin çdo gjë në Shqipëri. Do jua marrin edhe ju tokën e do ju vënë nga pronarë të shtëpive dhe bizneseve që keni,  do jeni disa fatkeqë në katin e 10-të të një pallati, që s’do dini çtë bëni. Problemi tjetër i madh që unë shoh është se ata banorë që janë nga Bregu i Lumit, u kanë vajtur lajmërimet për t’i shembur, ku janë ata?!”, janë fjalët e Gocit.

Ditën e djeshme protestuesit deklaruan se këtë të mërkurë në protestë nuk do të paraqiteshin më me duar bosh, por do merrnin me vete lopata, kazma, dhe çfarëdo që të kishin mundësi ta përdornin si armë për t’u mbrojtur.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *