Deputetë të Partisë Demokratike kanë vizituar sot në spital, policë dhe qytetarë që ngelën të plagosur në protestën që u zhvillua para Kuvendit.
Përmes një postimi në ‘Facebook’ demokrati Tritan Shehu pohoi se të gjithë të plagosurit janë viktima të mosrespektimit të së drejtës së pronës. Shehu shton se: “Rilindja, e cila në iluzionet saj kujton se është zoti absolut mbi toke duke gjeneruar përplasje në rritje sociale, duhet ndalur tashmë përfundimisht”.
Sot së bashku me kolege mjeke-deputetë të PD-së vizitova në Qendrën e Traumës të dëmtuarit, protestues dhe policë, të gjithë viktima të mos respektimit të të drejtave themeltare të njeriut përfshi dhe atë të baneses, arrogancës, arbitraritetit, tensioneve të krijuara qëllimshëm, fyerjeve të pa precedenta të Qeverisjes e të Kryeministrit ndaj një komuniteti.
Vizituam aty të gjithë të dëmtuarit duke u interesuar për shëndetin e tyre e uruar shërim të shpejtë e të plotë.
Pa asnjë dyshim ajo çfarë po ndodh me ata banorë, përplasjet në vazhdim kanë vetëm një shkak, trajtimin e tyre nga kjo Qeveri si qënie pa të drejta, pa asnjë respekt për jetën, pronën e dinjitetin e tyre.
Çdo gjë e tillë që po ndodh këto ditë është tejet e rrezikeshme, është një simptomë i qartë se arbitrariteti Rilindas nuk njeh kufi e po e shtyn vendin drejt konflikteve të mëdha, duke e çuar kështu gjendjen jashtë çdo kontrolli.