Vendosni fjalën kyçe....

Biznesmeni në Vlorë humbi dy këmbët në atentat – Dinamika e ngjarjes


Të tjera detaje zbulohen lidhur me atentatin që ndodhi ditën e djeshme në qytetin bregdetar të Vlorës, ku mbeti i plagosur biznesmeni Agron Alushi.

Një shpërthim ndodhi rreth orës 16:35 në rrugën “Transballkanike”, në momentin kur biznesmeni sapo kishte hipur në makinën e tij të tipit “Benz”.

Mësohet se Alushi, i cili rezulton pronar i një guroreje në Drashovicë dhe biznesmen në fushën e ndërtimit, e kishte lënë automjetin për ta larë në një pikë lavazhi. Ky është pikërisht momenti ku policia dyshon se është vënë lënda eksplozive e telekomanduar, sepse pasi Alushi ka paguar lekët dhe ka hipur në automjet për t’u larguar, ka ndodhur shpërthimi.

Makina shpërtheu vetëm pak metra larg lavazhit, pranë një pike karburanti dhe në një zonë të banuar, duke shkaktuar panik.

 “Rreth orës 16:35, në hyrje të Vlorës pranë një karburanti ka shpërthyer në ecje automjeti i markës Benz. Si pasojë e shpërthimit ka mbetur i dëmtuar shtetasi A.A, 48, vjeç, i cili ndodhet në sallën e reanimacionit të Spitalit Rajonal Vlorë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje duke kryer hetimet në lidhje me zbardhjen dhe sqarimin e rrethanave. Vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes”, njoftonte dje policia.

Biznesmeni 48-vjeçar ka marrë dëmtime të rënda në të gjithë trupin si pasojë e shpërthimit, por më të prekura janë dy gjymtyrët e poshtme të tij. Ai ndodhet në gjendje kritike për jetën dhe pritet që sot të transportohet drejt Tiranës.

Sipas hetimeve paraprake të policisë, dyshohet që lënda eksplozive të jetë vendosur brenda automjetit, i cili nuk ka pësuar dëmtime në pjesë të jashtme të tij, pasi shpërthimi ka ndodhur në kabinën e makinës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *