Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ish-ministrja e integrimit Klajda Gjosha, ka reaguar lidhur me situatën e banorëve të Unazës së Re dhe protestuesve të arrestuar.
Gjosha thotë se “sa mirë do të ishte që shteti të ushtronte të njëjtin zell dhe pasion për luftën kundër krimit, siç e ushtron për të arrestuar protestuesit, qytetarët e thjeshtë të këtij vendi.”
Ish-ministrja shprehet se ndjen keqardhje jo vetëm për qytetarët, por edhe për qeverinë e vendit.
“Sa mirë do të ishte që shteti të ushtronte të njëjtin zell dhe pasion për luftën kundër krimit, siç e ushtron për të arrestuar protestuesit, qytetarët e thjeshtë të këtij vendi. Ashtu me të njëjtin pasion që kërkonin të kapnin djalin 17 vjeçar të protestës, ku inati lexohej në sytë e policisë së shtetit! Ndoshta ky pasion vazhdon ende të ushtrohet brenda komisiarateve, ku këta qytetar mbahen të mbyllur.
Sa mirë do të ishte që shteti të bënte luftën e pa kompromis me krimin, ashtu me të njëjtën arrogancë që përdor me 600 familjet që do të mbeten pa strehë, në një nga zonat më të rëndësishme të Tiranës.
Ndjej keqardhje për qeverinë e vendit tim, për njerëzit që na drejtojnë dhe për lotët e qytetarëve të dëshpëruar, që sot janë më të pashpresë se kurrë!”, shkruan Gjosha.