Vendosni fjalën kyçe....

“Lëre se na prish punë, është nën moshë”, 17-vjeçari tregon si e dhunuan në komisariat


Pasi u mbajt tre ditë në ambientet e paraburgimit për shkak se mori pjesë në protestën për të mbrojtur nga shembja banesën e tij dhe të familjes së tij në zonën e Astirit, 17-vjeçari Paolo Ahmetcenaj tregon se si punonjësit e policisë e kanë dhunuar dhe kanë ushtruar presion ndaj tij.

Ndërsa ishte i ftuar në studion e FaxNeës, Ahmetcenaj tha se atë e kishin ngatërruar me Daniel Dobrajn, të dyshuar për plagosjen e polices Ina Nuka.

 “Kam shkuar pak me vonesë sepse isha në shkollë, dhe po rrija mbrpaa, jo te pjesa e parë që po shtyheshin. Jo te pjesa e acaruar.

Sepse më kanë arrestuar edhe para tre ditësh, para se protesta të bëhej te Kuvendi. Një civil më ka shtrirë në tokë dhe më ka gjuajtur me shqelma. Nga kurioziteti kisha shkuar të shihja kë kishin shoqëruar.

Ka pasur njerëz që kanë ardhur dhe ka lënë kapsolla në mes të rrugës, i mora dhe i futa në çantë, i doja që ti kisha te shtëpia, nuk kisha ndërmend që t’i hidhja atë ditë. 

Më mori babi në telefon dhe më tha nisu për shtëpi, dhe u nisa së bashku me xhaxhanë.

Duke ikur për shtëpi vjen një makinë e Shqiponjave dhe na ndalon para këmbëve. U tremba me thënë të drejtën, se kisha çantën me kapsollat që kisha futur në çantë.

Erdhën dhe disa motora, po nuk po bënin asnjë veprim derisa erdhi një civil, që iu tha kapini këta. Më çuan te rajoni numër 1, na morën telefonat, na ndanë me xhaxhain.

Nuk më lanë që të telefonoja asnjë nga prindërit. Më thanë nuk ke të drejtë, deri në momentin që duhej firma e prindërve.

Ka ardhur më pas babi. I kanë qëlluar një personi tjetër, jo mua personalisht. Me emrim Fluturim më duket.

Nga aty na kanë çuar te drejtoria e policisë, vjen një civil duke na ofenduar. Vjen një civil dhe më pas më tregon një foto të Danjelit, pasi dyshonin se isha ai, se ishim veshur edhe njëlloj. Vetëm “Nike” te atletja ndryshonte.

Një person erdhi në korridor dhe tha: Kush ishin ata që ofenduan policët, më ka gjuajtur me grusht në nofull, edhe pse i tashë që isha 17-vjeç, tentoi sërish të më gjuante dhe i mbajta dorën.

Ishte një moment dobësimi te unë. U munduan të më qetësonin.

Personi që më gjuajti ka qenë rreth 27-30 vjeç, po nuk e mësova dot emrin e tij. Kanë ardhur prap nga korridori për të më çuar te zyrat e veta. Ulu më thanë. Kam qenë me lot në sy në ato momente.

Më nxjerrin foton e një shokut tim. Unë i thashë se ai ka qenë në mësim. Pastaj më nxjerrin foton e Danjelit, po unë nuk e njihja dhe nuk kisha pasur asnjëherë kontakte me të. Për videon e Danjelit këmbëngulnin se isha unë. Po më detyronin në njëfarë mënyre që të pranoja një gjë që nuk ishte e vërtetë, se unë kisha qenë pranë Danjelit. Kam pasur një moment shumë të vështirë, po dridhesha. 

Më gjuanin lehtë te faqja, një që ishte ulur në karrige tha: Lëre se na prish punë se është nën moshë. Më shtrëngonin në trup, dhe thonin: Hajde se do e shikosh se si do e hash! As nuk e mbaj mend se çfarë kam firmosur, herë pas here i ndyrshonin dhe më bënin presion. Në dhomat e paraburgimit nuk kam ankesë, madje mua janë munduar që të më trajtojnë më mirë se të tjerët”, tha 17-vjeçari.

Në një tjetër moment, Ahmetcenaj ttregon dhe bashkëbisedimin me psikologen, por edhe presionin që avokati i shtetit i bëri.

 “Në një moment ai polici më kapi nga qafa, më merrte me të mirë, por psikologia i tha të lutem largohu, mos i bëj presion, më pas psikologia ka thënë që për çdo lloj nevoje që të kesh, më thuaj.

Avokati i caktuar nga shteti më bëri presion tha , kjo dënohet 3 deri në 10 vite burg”, tha Ahmetcenaj.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *