Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, të Kosovës dhe të Shqipërisë që po mbahet sot në Pejë, kryeministri Edi Rama kritikoi Bashkimin Europian si edhe Serbinë, se po tregohen me dy fytyra, kjo e fundit madje edhe me tre.
“Marrëdhënia jonë me Serbinë është strategjike në afatgjatë, por nëse Serbia e shikon këtë si shprehje të një nevoje të njeanshme gabon. Kjo është një nevojë e dyanshme dhe për këtë nevojë të dyanshme, Serbia të ulet në tavolinë me një fytyrë, jo me dy fytyra. Madje tre në fakt. Një fytyrë me Kosovën, tjetër me Shqipërinë, dhe tjetër me Komunitetin Ndërkombëtar. Serbia të zgjedhi cilën fytyrë do përdori me marrëdhëniet shqiptare. Ne jemi të gatshëm t’i rrimë përballë me të njëjtën fytyrë që do zgjedhi Serbia.”, janë fjalët e kryeministrit shqiptar.
Ai vijoi më tej duke thënë: “Unë kam parasysh bashkimin e shqiptarëve si domosdoshmëri në rrugën e BE dhe BE duhet t’i japë fund qasjes së dyfytyrë. Një për Shqipërinë e një për Kosovën. Shqipërisë i thotë do hapim negociatat sot, do i hapim nesër. Kosovës do liberalizojmë vizat sot, do liberalizojmë vizat nesër. E ndërkohë Serbia vazhdon hap kapituj duke përdorur tre fytyra, ndërkohë ne kemi një fytyrë.”
Rama tregohet mjaft i sigurt në vetvete kur kritikon të tjerët për “dyfytyrësi”, mirëpo duket se ka harruar se çfarë “dyfytyrësie” ka përdorur dhe vetë me shqiptarët, me popullin që e ka zgjedhur dy herë për kryeministër.
Këtu përmendim rastin e banorëve të Unazës së Re, të cilëve më 22 maj të vitit 2013-të u premtonte legalizim falas në këmbim të votës.
“Kështu që kjo çështje është njësoj si gjithë të tjerat. Ne e kemi marrë angazhimin. Do bëjmë një proces serioz, ta mbyllim këtë histori se nuk është vetëm puna e legalizimit që mos të prishet shtëpia, se shtëpitë nuk prishen gjithsesi. Puna është që ato janë kapitale të vdekura, se janë investime të bëra me kursime me gjak”, janë fjalët që kryeministri Rama përdorte. Por që pak ditë më parë, e mohoi se e kishte bërë këtë premtim dhe u shpreh i vendosur për të shembur mbi 300 banesat në Astir.