Pas shkrimit të publikuar në Hashtag.al (kliko për ta lexuar) ka reaguar dhe deputeti demokrat Agron Shehaj, i cili ka sqaruar mënyrën si e ka siguruar dokumentin mbi vjetërsinë e kompanisë ‘Dunwell-Haberman”) e kontraktuar për ndërtimin e aksit rrugor te ‘Astiri’.
Lexojeni të plotë reagimin e deputetit Shehaj:
“Dokumenti që unë publikova për kompaninë që do marrë gati 20 milionë euro është marrë zyrtarisht nga regjistri i kompanive në Delaware të SHBA-ve. Çdo gazetar mund të paguajë 10 dollarë dhe të marrë të gjitha të dhënat e Dunwell Haberman LLC nga regjistri publik i kompanive në Delaëare, dhe nëse gazetari di anglisht e kupton që “incorporation date/formation date” është dita e regjistrimit të kompanisë dhe jo e marrjes së vërtetimit nga regjistri.
Kompania që është regjistruar në Shqipëri nga një nënshtetase e Ishujve Seyschelle e specializuar në krijimin kompanish guacke, nuk ekziston askund. Asnjë gjurmë e saj, asnjë klient i saj, asnjë punë e saj, askund. Ajo është kompani e fuqishme vetëm në dokumentat që nënshtetësja nga Seyschelle ka paraqitur në Shqipëri të cilat duhet t’i hetojë prokuroria shqiptare.
Gazetarët që duan vërtet t’i shërbejnë interesit publik duhet të hetojnë e shpjegojnë, për shembull, faktin se si ka mundësi që një kompani që në bilancet që ka dorëzuar në Shqipëri pretendon që ka qindra miliona euro të ardhura dhe ka punësuar 3500 punëtore dhe ka degë në Amerikë, Kanada e Amerikë Latine dhe ndërton autostrada, linja tensioni, hidrocentale etj, nuk ka një faqe normale në internet dhe nuk ka lënë gjurmë askund për gjithë këto vepra të mëdha që ka bërë? I gjithë publiku po pret një hetim të tillë”.
Ky është reagimi i plotë i zotit Shehaj, ndërsa në lidhje me sa më sipër, Hashtag.al synon të qartësojë:
- Dokumenti i siguruar nga zoti Shehaj, është ekstrakt elektronik i limituar dhe i siguruar nga shërbimi i regjistrit online.
- Dokumentacioni juridik i një kompanie, që do të vërtetonte origjinën apo vjetërsinë e saj, përcaktohet nga aktet noteriale të: Aktit të Themelimit, Statuti i origjinës, auditimi ligjor i bilanceve.
- Rezulton se kompania amerikane i ka dorëzuar me vulë apostile në Tiranë në QKB të gjitha aktet noteriale që vërtetojnë origjinën, vjetërsinë dhe aktivitetin e saj fiskal.
- Nëse hipotetikisht do besonim se dokumenti elektronik që ka ekspozuar zoti Shehaj është ashtu siç thotë ai, atëherë i bie që kompania amerikane ka falsifikuar të gjitha dokumentet që ka depozituar në Tiranë dhe kjo do të shkaktonte një skandal edhe më të madh.
- Por për ta zbuluar nëse kemi të bëjmë me ndonjë skandal falsifikimi të këtij lloji, duhen krahasuar Akti Themelimit, Statuti dhe Bilancet që gjenden në Delaware me ato që janë dorëzuar në Tiranë. Zoti Shehaj nuk ka ekspozuar këtë paketë dokumentesh, ende.
- A është e dyshimtë një kompani e regjistruar në zonë offshore, që dorëzon bilance prej qindra milionë dollarësh aktivitet, që në faqen e vetë elektronike nuk ka ekspozuar ende ndonjë punë publike që mund të ketë kryer në të kaluarën? PO, ËSHTË E DYSHIMTË. Por janë verifikimet ligjore ato që i japin drejtim dyshimit, thjesht dyshimi nuk mjafton.