Vendosni fjalën kyçe....

Mes shiut dhe errësirës, qëndresa e banorëve të Astirit deri në orët e vona

Pavarësisht reshjeve të shiut, banorët e Unazës së Re nuk e ndalën protestën e tyre deri në orët e vona të mbrëmjes. Ata kanë kundërshtuar policinë bashkiake të kryeqytetit, që prej dy ditësh ka tentuar të shkulë shtyllat e ndriçimit në të dyja anët e rrugës, duke arritur t’i heqin disa.

Përmes faqes së tyre në “Facebook”, banorët e Astirit kanë publikuar një video nga qëndresa mes shiut dhe errësirës, ku pavarësisht të ftohtit të mbrëmjes nuk i ndalën thirrjet.

“Ketu eshte vetem shpirti i banoreve qe po e mbajne gjalle kete proteste… shume njerez kujtojne se kete protest e ben PD. Nuk kemi pare ndonjehere PD protesta te tilla duke dhene shpirtin… mirpresim cdo parti politike te japin mbeshtetjen e tyre. Po sindikatat mbrojtese ku jane?? Te gjitha te shitura.”, thuhet krahas videos së publikuar.

“Hajde lali Fiku, hajde se po të presim. Ne nuk dorëzohemi kurrë”, dëgjohet zëri i një protestueseje.

Ata kërkojnë dëmshpërblim për banesat e tyre sipas vlerës së tregut. Banorët u shprehën dje së në takimin me kryebashkiakun Erion Veliaj, kanë qenë pjesëmarrës punonjës të administratës dhe qytetarë që kanë bërë kompromise me kreun e Bashkisë.

Gjithçka që flet Erion Veliaj janë një mashtrim i gjallë. Njerëzit që protestojnë për shtëpitë janë vetëm këtu. Pastaj pazaret e disa pseudo-banorëve janë gjë tjetër. Asnjë protestues që proteston këtu, nuk ka qenë në takim me Veliajn. Ne nuk i lëshojmë shtëpitë tona. Erion Veliaj po mashtron”, u shpreh dje një banor para mediave.

Banorët kanë bllokuar të dyja akset e rrugës dhe vazhdojnë me të njëjtat thirrje “Nuk na përçani dot”, “Jug, veri jemi një” e “do t’i mbrojmë shtëpitë me gjak”./Hashtag.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *