Vendosni fjalën kyçe....

Ngrihet flamuri në Vlorë e homazhe në Tiranë, si janë shpërndarë politikanët për festën kombëtare (VIDEO)


Me rastin e 28 Nëntorit, po organizohen dy ceremoni, një për ngritjen e flamurit në Vlorë e një tjetër në Tiranë. Në ceremoninë në Vlorë, janë të pranishëm presidenti i Republikës Ilir Meta, kryeministri Edi Rama si edhe kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, po ashtu edhe personalitete të tjera të politikës.

Ndërkohë demokratët kanë organizuar homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë. Kryedomokrati Lulzim Basha, ishte i shoqëruar nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Në një prononcim për mediat, Basha tha se përulet para sakrificës së mijëra shqiptarëve për lirinë.

“Përkulemi para qindra e mijëra të rinjve e të reja, burrave dhe grave që dhanë jetën, antifashistë dhe nacionalistë në luftën për Çlirimin e Shqipërisë nga okupatorët.

Përkulemi para sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandantit legjendar Adem Jashari, i cili po kështu lindi në këtë ditë të bekuar më 28 Nëntor.

Dhe para sakrificës së mijëra shqiptarëve të tjerë që u flijuan për lirinë e Shqipërisë, për lirinë e kombit shqiptar, kudo ku ata jetojnë. Kjo sakrificë, ky çmim i lartë që kombi ynë ka paguar për pavarësinë dhe lirinë është i pandarë nga beteja e përditshme për të ruajtur lirinë dhe demokracinë.

Për lirinë dhe demokracinë duhet luftuar çdo ditë. Dhe jam sot në krah të gjithë qytetarëve që janë ngritur për të mbrojtur liritë e tyre dhe të drejtat e tyre.

Dhe e konsideroj ditën e sotme edhe një ftesë për një bashkim të madh të gjithë shqiptarëve në një betejë të përditshme e papushim derisa liria e çdo shqiptari të jetë e pacënuar dhe e garantuar në fakt ashtu siç është e garantuar në ligj dhe në Kushtetutë.”, tha Basha.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *