Parlamenti Evropian ka votuar me 459 vota pro, 112 vota kundër dhe 62 abstenim raportin e Knut Fleckenstein për Shqipërinë për mundësinë e çeljes së negociatave për në BE këtë verë. Anëtarët e Parlamentit Europian i kushtuan një pjese të sesionit plenar të djeshëm diskutimeve mbi rezolutat mbi vendet e Ballkanit Perëndimor të hartuara nga Komiteti i Punëve të Jashtme (AFET).
Rezoluta paraqet raportin e Parlamentit Evropian lidhur me ato të Komisionit Europian mbi gjashtë kandidatët për në BE. European Western Balkan publikon draft-rezolutën të diskutuar dje.
Raportuesi Knut Fleckenstein theksoi se reformat gjyqësore kanë shkuar përtej asaj që Komisioni kishte kërkuar. Ai i bëri thirrje Shqipërisë që të bëjë maksimumin duke zbatuar vendimin e Këshillit që negociatat të hapen verën e ardhshme.
“Reforma zgjedhore duhet të zbatohet sipas rekomandimeve të OSBE-së para zgjedhjeve lokale në vitin 2019. Ne duhet ta inkurajojmë Shqipërinë për ta mbajtur në rrugën që kanë nisur”, thekson Fleckenstein.
Edhe Komisioneri Hahn komentoi mbi raportin, duke theksuar nevojën për reforma në sistemin e financimit të partive, si dhe përmirësimin dhe profesionalizmit e organeve të pavarura zgjedhore.
Deputeti Eugen Freund, politikan austriak u tregua shumë mbështetës. “Është e habitshme se sa shumë ka përparuar ai vend vitet e fundit, Në vitet 1990, ishte një vend ku njerëzit largoheshin”.
Megjithatë, incidenti me Katsifas në tetor ka nxitur kritika të ashpra nga eurodeputetët grekë. Eleni Theocharous akuzoi Shqipërinë për spastrimin etnik. Nga ana tjetër, komisioneri Hahn kritikoi deklaratat e fundit të kryeministrit Rama në takimin e dy qeverive në Pejë ( Kosovë-Shqipëri).
“Të gjithë në rajon duhet të përmbahen nga deklarata të padobishme të cilat mund të interpretohen si anim në njërën palë (në kontestin Kosovë-Serbi)”, theksoi Hahn.