Vendosni fjalën kyçe....

“10 projektet PPP ishin një dështim”, Eurodad: Pasojat, katastrofë


Eurodad (Rrjeti Europian mbi Monitorimin e Borxhit) që përbëhet prej 47 organizatash të shoqërisë civile nga 20 vende europiane publikoi së fundi një raport me kritika të rënda ndaj investimeve që po bëhen me Partneritet Publik – Privat (PPP) për ndikimin negativ që ato kanë në borxh.

Projektet PPP po promovohen gjithnjë e më shumë si zgjidhje për të arritur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Infrastruktura ekonomike, siç janë hekurudhat, rrugët, aeroportet dhe portet, por edhe shërbimet kyçe si shëndeti, arsimi, uji dhe energjia elektrike janë duke u shpërndarë përmes PPP-ve.

Qeveritë donatore dhe institucionet financiare, si Grupi i Bankës Botërore dhe bankat e tjera të zhvillimit multilateral, kanë krijuar nisma të shumta për të promovuar ndryshimet në kuadrin rregullator kombëtar për të lejuar PPP-të, si dhe për të ofruar këshilla dhe financa për Projektet e PPP. Eurodad pohon se që nga viti 2004 ka pasur një rritje të shpejtë të shumës së parave të investuara në PPP në vendet në zhvillim dhe shumë projekte janë prokuruar si PPP, thjesht për të shmangur kufizimet buxhetore dhe për të shtyrë regjistrimin e kostove fiskale.

Disa praktika kontabël, si rasti i Shqipërisë, i lejojnë qeveritë të mbajnë koston e projektit dhe detyrimet e saj të kushtëzuara “jashtë bilancit”. Kjo përfundon duke ekspozuar financat publike ndaj rreziqeve të tepërta fiskale.
Eurodad ka hartuar një raport të cilin ia ka paraqitur edhe Bankës Botërore ku bën një analizë më të thellë, bazuar në prova, mbi ndikimin e 10 projekteve PPP në katër kontinente, si në vendet e zhvilluara ashtu edhe në ato në zhvillim.

Vendet e përfshira janë: Kolumbia, Franca, India, Indonezia, Lesoto, Liberia, Peru, Spanja dhe Suedia. Sektorët që mbulojnë janë: arsimi, energjia, shëndetësia, transporti, uji dhe kanalizimet.

Këto 10 raste ilustrojnë problemet më të zakonshme që hasin PPP-të.
Eurodad gjeti se të 10 projektet erdhën me kosto të larta për buxhetet publike dhe me një nivel të tepruar të rrezikut për sektorin publik dhe, për rrjedhojë, një barrë të rëndë për qytetarët. Për shembull, Spitali Mbretëresha Mamohato në Lesoto ka pasur pasoja të mëdha negative dhe të paparashikueshme në fondet publike.

Shifrat më të fundit sugjerojnë se në vitin 2016, taksat e faturuara të partnerëve privatë kaluan dy herë “pragun e përballueshmërisë” të përcaktuar nga Qeveria dhe BB në fillim të PPP. Faktorët që ndikuan në përshkallëzimin e kostos përfshijnë indeksimin e gabuar të taksës vjetore të paguar nga qeveria dhe parashikimin e dobët.
Në Suedi, kostoja totale e ndërtimit e spitalit të Nya Karolinska Solna (NKS) arriti nga 1.4 miliardë në 2.4 miliardë euro dhe tani njihet si “spitali më i shtrenjtë në botë”.

Çdo PPP i studiuar ishte më i rrezikshëm për shtetin sesa për kompanitë private të përfshira, pasi sektori publik kërkohej të hynte dhe të merrte kostot kur gjërat nuk shkonin mirë. Një shembull i rëndësishëm është rasti i “Jakarta Ëater” në Indonezi, ku dy kontrata PPP rezultuan me humbje të konsiderueshme për ndërmarrjen publike të ujit PAM Jaya.

Në vitin 2011, ajo raportoi një humbje financiare prej 18 milionë USD. Vlerësimet tregojnë se humbjet përfundimisht do të arrijnë 2.4 miliardë dollarë, në qoftë se marrëveshja e bashkëpunimit vazhdon siç është planifikuar deri në datën e skadimit të saj në 2022.

Pesë nga dhjetë PPP të rishikuara kanë ndikuar negativisht tek të varfrit dhe kanë rritur ndarjen mes të pasurve dhe të varfërve. Për shembull, në rastin e Spitalit Mbretëror Mbretëresha Mamohato në Lesoto, kostoja në rritje dhe e papërkulur e spitalit PPP rrezikoi investimet e nevojshme në kujdesin shëndetësor parësor dhe dytësor në zonat rurale, ku normat e vdekshmërisë po rriten dhe ku jetojnë tre të katërtat e popullsisë.

Në Xhakarta, sigurimi i ujit përmes operatorëve privatë (Jakarta Ëater) rezultoi në një rritje radikale të faturave mujore, të cilat janë të papërballueshme për shumë familje të varfra. Banorët shpesh mbështeten në ujërat nëntokësore nga puset e pyllit të komunitetit, ose duhet të blejnë ujë në kanoçe që mund të kushtojnë më shumë se gjysmën e të ardhurave ditore të një personi.

Tre nga PPP-të kanë ndikim serioz social dhe mjedisor. Për shembull, në bregdetin Mundra në Gujarat në Indi, ku është zbatuar një projekt për një stacion termik, ka pasur shkelje serioze sociale dhe mjedisore që nga fillimi. Pas vlerësimeve të gabuara të ndikimit në mjedis është përkeqësuar cilësia e ujit. Në Kolumbi, projekti PPP për të përmirësuar lundrueshmërinë e lumit Magdalena ishte një planifikim i dobët. Megjithëse projekti nuk hyri në fazën e ndërtimit, për shkak se kompania nuk arriti ta marrë financimin e nevojshëm për ta zbatuar atë, punët paraprake të kryera kanë ndikuar negativisht mjedisin përreth lumit.

Nëntë nga dhjetë projekte janë zhvilluar në mungesë transparence ose nuk janë konsultuar me komunitetet e prekura, duke minuar përgjegjësinë demokratike. Mospublikimi i kontratave mbajti të fshehura rreziqet që sektori publik është i detyruar të ndërmarrë. Në qytetin e vogël indian të Khadëa, nëpërmjet një PPP për të siguruar ujin në vend, u deshën katër vjet për të informuar më në fund popullsinë për atë që po ndodhte. Më shumë se 10,000 familje e kundërshtuan projektin brenda një periudhe 30-ditore.

Eurodad gjeti se në të gjitha rastet, PPP-të ishin komplekse për t’u negociuar dhe për t’u zbatuar dhe se kishin nevojë për kapacitete specifike shtetërore për t’u negociuar në interesin publik, duke përfshirë edhe procesin e rinegocimit.

Në Peru, procesi i rinegocimit për të ndërtuar një aeroport të ri përmes PPP në Chinchero rezultoi në një ndryshim në të gjithë strukturën e financimit të projektit. Pas një raporti nga Audituesi i Përgjithshëm referuar dëmeve ekonomike për shtetin, dhe në mes të një skandali kombëtar mbi projektin, qeveria peruane më në fund anuloi kontratën në bazë të interesit kombëtar.

Ndërtimi i një gjykate në Paris rezultoi aq komplekse, e kushtueshme dhe kontradiktore, sa ministri i ri francez i Drejtësisë ka vendosur që ministria e tij kurrë nuk do të angazhojë më PPP të tjera. Për shembull, Projekti Castor – impianti më i madh spanjoll i magazinimit të gazit në det u ndal pasi injeksionet e gazit shkaktuan më shumë se 1,000 tërmete. Pavarësisht se nuk është përdorur kurrë, projekti Castor deri tani i ka kushtuar publikut 3.28 miliardë euro. Kjo shumë tani po paguhet përmes rritjes së faturave të gazit.

Raporti i Eurodad i bën thirrje Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që së bashku me qeveritë e vendeve të pasura të ndalin promovimin agresiv të nxitjes së PPP-ve për financimin e infrastrukturës sociale dhe ekonomike dhe të pranojnë publikisht rreziqet financiare dhe të tjera të rëndësishme që PPP-të sjellin.

Eurodad këshillon që të sigurohet një qeverisje e mirë dhe demokratike para se të ndiqen forma të tilla investimi. Duhen procese të thella konsultimi dhe informimi me pjesëmarrje dhe monitorim të gjerë të shoqërisë civile, duke përfshirë edhe komunitetet lokale, sindikatat dhe aktorët e tjerë. Të drejtat e komuniteteve të prekura duhet të merren parasysh.

Eurodad këshillon që të sigurohet zbatimi i standardeve rigoroze të transparencës, veçanërisht në lidhje me kontabilizimin e fondeve publike, vlera e kontratës e PPP-së dhe implikimet fiskale afatgjata duhet të përfshihen në llogaritë kombëtare. Kontratat dhe raportet e performancës së projekteve të infrastrukturës sociale dhe ekonomike duhet të shpalosen në mënyrë proaktive dhe interesi publik renditet më i lartë se interesi komercial.

“Përfundimisht, u bëjmë thirrje të gjithë atyre që merren me drejtësinë, barazinë, qëndrueshmërinë dhe të drejtat e njeriut për t’i rezistuar shkeljes së PPP-ve dhe për të nxitur në vend të tyre shërbime publike me cilësi të lartë të financuar nga publiku, të kontrolluara në mënyrë demokratike dhe të përgjegjshme. Mirëqenia e bashkësive dhe shoqërive tona varet nga ajo” thotë në fund Eurodad pas një procesi auditimi që gjeti shkelje dhe kosto të rënda në dëm të publikut.

Disa shembuj si kanë dështuar projektet PPP në të gjithë botën

1-Spitali Mbretëresha Mamohato në Lesoto ka pasur pasoja të mëdha negative dhe të paparashikueshme në fondet publike. Në vitin 2016, taksat e faturuara ndaj partnerëve privatë kaluan dy herë “pragun e përballueshmërisë” të përcaktuar nga Qeveria dhe BB në fillim të PPP-së. Faktorët kontribuues në përshkallëzimin e kostos përfshijnë indeksimin e gabuar të taksës vjetore të paguar nga qeveria dhe parashikimin e dobët.

2-Projekti Castor, impianti më i madh spanjoll i magazinimit të gazit në det u pezullua pasi injeksionet e gazit shkaktuan më shumë se 1,000 tërmete. Pavarësisht se nuk është përdorur kurrë, projekti Castor deri tani i ka kushtuar publikut 3.28 miliardë euro. Kjo shumë tani po paguhet nëpërmjet rritjes së faturave të gazit.

3-Një shembull i rëndësishëm është rasti i “Jakarta Water” në Indonezi, ku dy kontrata PPP rezultuan me humbje të konsiderueshme për ndërmarrjen publike të ujit PAM Jaya. Në vitin 2011, ajo raportoi një humbje financiare prej 18 milionë USD. Vlerësimet tregojnë se humbjet përfundimisht do të arrijnë 2.4 miliardë dollarë në qoftë se marrëveshja e bashkëpunimit vazhdon siç është planifikuar deri në datën e skadimit të saj në vitin 2022.

4-Në Suedi, kostoja totale e ndërtimit të spitalit të Nya Karolinska Solna (NKS) me PPP arriti nga 1.4 miliardë në 2.4 miliardë euro dhe tani njihet si “spitali më i shtrenjtë në botë”.

5 –Ndërtimi i një gjykate me PPP në Paris rezultoi aq kompleks, i kushtueshëm dhe kontradiktor, sa ministri i ri francez i Drejtësisë ka vendosur që ministria e tij nuk do të angazhojë më kurrë PPP të tjera.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *