Video Assistant Referee (VAR) do të aplikohet tashmë edhe në kompeticionet e UEFA-s, përfshi Ligën e Kampionëve, Europianin U21, që do të zhvillohet në Itali, në muajin qershor dhe finalet e Ligës së Kombeve.
Komiteti Ekzekutiv i institucionit drejtues të futbollit në Europë, i mbledhur sot në Dublin, ku u përcaktuan edhe çiftet finaliste të Ligës së Kombeve, ka marrë tashmë vendimin final, duke i hapur udhë aplikimit të teknologjisë ndihmëse të arbitrave.
Kështu në Ligën e Kampionëve aplikimi do të fillojë këtë sezon, duke nisur me ndeshjet e fazës së 1/8-ave (pas fazës në grupe), ndërsa do të aplikohet gjithashtu edhe në finalet e Ligës së Kombeve dhe në Euro U21, që do të zhvillohet në Itali.
Ky është një hap përpara në futbollin europian, pasi deri më tani UEFA u kishte rezistuar me sukses presioneve për të aplikuar VAR-in, veçanërisht në Champions, ku ka pasur shpesh polemika për vendimet e arbitrave, të cilat për hir të së vërtetës, shumë herë kanë vendosur fatin e kompeticionit.