Në aktivitetin e sotëm në Qytet Studenti, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka lëshuar një mesazh të fortë për Vettingun në politikë, ndërsa ka akuzuar qeverinë Rama se po vjedh shqiptarët.
Ndërsa përkujtonte 8 dhjetorin e vitit 1990, Basha tha se nëse nuk do të ketë vetting në politikë, parlamenti do të bjerë dhe do të rrëzohet.
‘Ti prijmë betejës për të hapur politikën, për ta bërë të aksesueshme nga çdo kush, pavarësisht mundësive ekonomike, që të marrin pjesë në vendime.
Vetëm kështu do t’i japim një trase të sigurtë ëndërrës së studentëve të dhjetorit të dytë.
Vetëm kështu deputetët, kryebashkiakët, këshilltarët nuk janë produkt i hajdutëve, krimit, vjedhjes, por janë produkt i drejtpërdrëjtë i qytetarëve dhe rinisë shqiptare.
Sot në frymëzohemi nga 8 dhjetori i 1990 dhe t’i drejtojmë një apel prindërve të studentëve të dhjetorit të dytë: mos heshtni, mos kini frikë, ngrihuni e bashkohuni me ta kundër padrejtësisë, vjedhjes, të keqes. E keqja zmbrapset kur populli bëhet bashkë.
Le ta japim sot nga ky shesh ultimatumin tonë politik, si testament të Azem Hajdarit dhe dhjetorit 1990: Parlamenti shqiptar ose do të pastrohet nga krimi ose do të rrëzohet”, tha Basha.
Po ashtu, kreu i PD-së tha se sot një grusht hajdutësh janë në pushtet dhe po vjedhin shqiptarët. Ky grusht njerëzish sipas tij, janë arsyeja se pse shqiptarët janë të pashpresë.
“Nga ky shesh, studentët hapën dritën e ndryshimit. Edhe sot shumica e shqiptarëve gjenden në errësisë, të braktisur, të vjedhur e të nëpërkëmbur në një pushtet të mbledhur në një dorë të vetme.
Edhe sot, kushtet e studentëve janë mesjetare, pa dushe, me kova në dhoma me krevate marinari.
Qindra më tej, aty ku duhej të ngrihej kampusi i universiteteve ka një parking nga i cili bashkia e Tiranës vjel para. Pak më tutje sheshi Skëndërbej ka kushtuar 40 milionë euro dhe kushton miliona euro për tu mirëmbajtur.
Pak më tej, qindra e mijëra familje të bulevardit të ri dhe Unazës së re, protestojnë për të drejtën e tyre kundër një projekti më të korruptuar në histori që është provuar se është vjedhje e hapur.
Sot janë një grusht hajdutësh që merr vendimet për shqiptarët dhe ky grusht hajdutësh ka vetëm një projekt: atë të vjedhjes dhe grabitjes së shqiptarëve.”, janë fjalët e kreut të demokratëve.