Vendosni fjalën kyçe....

Studentët e pritën me vezë, flet Nikolla: Nuk kam bërë asnjë gabim, dorëheqja është e thjeshtë


Pasi studentët refuzuan të bisedojnë me të dhe e pritën me thirrje, vezë e letra, ministrja Lindita Nikolla ka reaguar për incidentin që ndodhi para godinës së ministrisë që ajo drejton.

Në një prononcim për “Ora News”, Nikolla tha se ishte paraqitur për t’ju përgjigjur thirrjes së studentëve “Lindita Nikolla dil në bulevard, shkolla është e jona, jo biznes privat”.

“Nuk ka qenë as tentativë, as refuzim. Ju lutem. Ka qenë një vullnet e dëshirë e Lindita Nikollës, si nënë dhe minister.

Pas kërkesave dhe parrullave Lindita Nikolla dil në bulevard edhe unë u nisa, e dëgjova vullnetin dhe dëshirën e studentëve për të qenë atje, qoftë edhe për të qëndruar me ata, për t’ju thënë se çështjet zgjidhen duke komunikuar. Studentët refuzojnë deri në këtë moment që çështjet të zgjidhen duke komunikuar. Besoj se hap pas hapi ne do të shkojmë drejt atij moment.

Unë e kam thënë që në krye të herës. Studentët kanë gjithmonë të drejtë por zgjidhet me diskutim. Të parashtrojnë gjithë kërkesat që ata kanë dhe jo duke i ndryshuar ca sot e ca nesër. Të përcaktojnë gjithë modalitetet që ata duan, edhe pjesëmarrjen e tyre si ata e duan dhe ne të fillojmë e të diskutojmë për shumë e shumë shqetësime të tjera.”, tha ministrja e cila sërish i ftoi studentët për të biseduar.

E pyetur nëse ka menduar të japë dorëheqjen pas protestave të studentëve dhe incidentit që i ndodhi, Nikolla e mohoi një gjë të tillë duke qëndruar e bindur se ajo nuk ka bërë asnjë gabim.

“Është gjëja më e kollajtë që ndodh me Lindita Nikollën por duhet të jesh në kushtet e papërgjegjshmërisë dhe në kushtet e fajit që ajo të jetë gjëja e parë që të bësh.  Nuk është fundi i botës por Lindita Nikolla nuk ka bërë asnjë gabim”, tha Nikolla.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *