Vendosni fjalën kyçe....

Gara në PD, Myslym Murrizi humbet besimin e Bashës


Deputeti Myslym Murrizi, njëkohësisht i ngarkuari i Kryesisë së Partisë Demokratike për të organizuar zgjedhjen e drejtuesit të nëndegës së kësaj force politike në Lushnje, dështoi, duke detyruar kryetarin e PD-së, Lulzim Basha të ndërhyjë, për të normalizuar situatën.

Pak ditë më parë, dega e Partisë Demokratike në qytetin e Lushnjes zhvilloi procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri. Përgjegjësia për organizimin i ishte ngarkuar deputetit Murrizi, i cili ishte gjithashtu kryetari në ikje i kësaj dege.

Por, procesi zgjedhur u shoqërua me parregullsi të shumta, madje edhe me dyshime për vjedhje të votave, probleme të cilat ndikuan në pezullimin e të gjithë procesit. Pas kësaj situate, kryetari i Partisë, Lulzim Basha, ka komanduar Daut Sulën në postin e drejtuesit të nëndegës së Lushnjes.

Në këtë mënyrë, Basha konfirmoi zyrtarisht dështimin e deputetit Murrizi në përgjegjësinë që kishte marrë përsipër dhe i ishte ngarkuar nga Qendra për të menaxhuar procesin e zgjedhjes së drejtuesit të ri lokal në Lushnje.

Përgjegjësia e Murrizit për keqmenaxhimin e situatës vjen për faktin se ai ishte kryetar i PD-së në Lushnje deri në ditën që u zhvillua procesi për zgjedhjen e pasardhësit të tij.

Murrizi nuk kandidoi në këto zgjedhje, por ai bëri të mundur që të mos zgjidhet as drejtuesi që do e pasojë në këtë pozicion. Pas kësaj Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, duket se është zhgënjyer aq shumë me Murrizin, sa vendosi që, në vend të tij, në Lushnje të komandoj dikë tjetër, Daut Sulën.

Në fakt, Myslim Murrizi konsiderohej si kryetari i Partisë Demokratike në Lushnje, por, në fakt nuk ka qenë saktësisht kështu. Në rrethin e Lushnjes, PD-ja ka dy nënseksione-atë të Lushnjes dhe atë të Divjakës. Pra, Murrizi ka qenë drejtues nënseksioni, por mbështetësit e tij kanë preferuar prej kohësh që ta konsiderojnë Kryetar Dege.

Llagapi “kryetar” për Murrizin dukej më shumë si një term “honorifik”, pra, si një lloj “presidenti nderi” i Partisë Demokratike në Lushnje. Pak a shumë, njëlloj si i ndjeri Sabri Godo, në fund të jetës së tij politike dhe biologjike, u zgjodh “President Nderi” i Partisë Republikane. Por, kjo ngjashmëri lidhet vetëm me termin e pozicionit “honorifik” dhe aspak me ngjashmërinë e plakut Godo dhe Myslymin e Lushnjes.

“Hashtag.al” ka siguruar Vendimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ka komanduar Daut Sulën në postin e kryetarit të nëndegës së Lushnjes. Ky vendim mban datën 06.12.2018, pra, disa ditë pasi Myslim Murrizi dështoi në organizimin e zgjedhjeve për kryetar nënseksioni në këtë qytet.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *