Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar të dhënate reja lidhur me vdekjet në aksidentet rrugore për 100 mijë banorë. Me 13.7 vdekje për 100 mijë banorë, Shqiëria renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të vdekjeve nga aksidentet në Europë.
Raporti thekson se Rusia ka rrugët më vdekjeprurëse në Europë, me 18 vdekje për 100 mijë banorë. Më pas renditet Armenia me 17.1, Bosnjë Hercegovina me 15.7, Gjerogjia me 15.3 dhe Shqipëria dhe Ukrania me 13.7.
Norvegjia dhe Zvicra, me përkatësisht 2.7 dhe 2.8 kanë rrugët më të sigurta për të udhëtuar në Europë. Përdoruesit e rrugës në këto vende kanë 5 herë më pak të ngjarë që të vriten në një aksident rrugor se në Shqipëri dhe 7 herë më pak se në Rusi.
Rekordin më të keq në botë e ka Afrika me 26.6 vdekje për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Azia Juglindore me 20.7, sipas grafikëve që janë publikuar nga Euroneës dhe i përkasin vitit 2016.
Aksidentet në Shqipëri për shkak të drejtuesve
Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT, në dhjetëmujorin 2018, aksidentet rrugore, në 19,2 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit, ndërsa më shumë se 80% janë për shkak të drejtuesve të mjetit. Për periudhën janar-tetor 2018 janë shënuar gjithsej 168 vdekje nga aksidentet, me një rënie prej 10.7% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vdekjet më të mëdha janë tek meshkujt, por këtë vit është shënuar një rritje tek femrat (nga 28 n 33) dhe ulje tek meshkujt (nga 158 në 138).
Në botë, sipas OBSH, shoferët dhe pasagjerët e automjeteve me 4 rrota ishin më të rrezikuarit, duke përbërë 48% të vdekjeve nga trafiku rrugor në 2016-n. këmbësorët janë në vend të dytë, ndërsa përdoruesit e biçikletave janë më të sigurtit me vetëm 5% të vdekjeve të raportuara.
Në Shqipëri, sipas të dhënave të OBSH, në 2016-n, 24% e vdekjeve ishin nga pasagjerë të automjeteve me 4 rrota dhe 16% të drejtuesve të tyre. Vdekjet e këmbësorëve përbënin 39%, ndërsa dhe çiklistët kanë më shumë mundësi të vriten në rrugë në raport me mesataren globale, në 8% (nga 5% në botë)./Monitor