Vendosni fjalën kyçe....

Studentët nuk ndalen, sot me libra me vete: “Të tregojmë kulturën”


Ditën e sotme administrate është pushim, por jo studentët. Ata sërish sot do të mblidhen në protestë përpara Ministrisë së Arsimit, këtë radhë me libra me vete.

“Të gjithë studentët nesër të marrin një libër me vete. Të tregojmë kulturën tonë si studentë”, thuhet në një nga posterat e studentëve.

Mbledhja do të bëhet si zakonisht te sheshi “Nënë Tereza”, ndërsa do të shmanget përsëri godina e Kryeministrisë pasi studentët do të ndjekin trajektoren e ish-Bllokut.

Kujtojmë se ditën e sotme kryeministri Rama do të bëjë një transmetim të drejtpërdrejtë në “Facebook”, ku u ka kërkuar studentëve bisedime.

Në fakt studentët e refuzuan kërkesën e Ramës për bisedime, mirëpo ai përsëri sot tha se dialogu do zhvillohet. Mbetet për t’u parë.

Në protestën e djeshme, studentët paralajmëruan se nuk do ta ndalnin protestën, derisa të plotësohen 8 kërkesat e tyre, pasi listën me katër kërkesa e kanë çuar në tetë.

Deri të martën kanë paralajmëruar se i kanë dhënë afat kësaj qeverie për plotësimin e kërkesave. Nëse nuk plotësohen kjo protestë do përshkallëzohet, sipas tyre.

Kërkesat e studentëve

Drejtuar: Ministrisë së Arsimit dhe Sportit
Ministres së Arsimit dhe Sportit Znj. Lindita Nikolla
Lënda: Kthim përgjigje me shkresë zyrtare

  1. Përgjysmim i tarifës së studimi
  2.  Rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rekor dhe rritja e përfaqësisë së studentëve në senatin akademik me 20%.                                   
  3. Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillet Studentore, Ligji i Arsimit të Lartë pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-të dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
  4. Mbështetje e studentëve për kërkime shkencore.
  5. Mbështetje e studentëve të doktoraturës me fonde për kërkimin shkencor.
  6.  Përmirësim i kushteve të konvikteve të Universiteteve.
  7. Dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë.
  8. Pajisja e të gjithë studentëve me kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019.
    Presim përgjigje zyrtare me shkrim deri në orën 14:00. Kërkesa drejtohet nga Këshilla studentor.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *