Priftërinjtë ortodoksë ukrainas janë mbledhur në Kiev për një këshill historik që do të krijojë një kishë të re kombëtare, një lëvizje që nuk pëlqehet nga Rusia.
Kjo vjen pasi Patriarkata Ekumenikale e Kostandinopojës, liderja shpirtërore e ortodoksisë botërore, njohu pavarësinë e Kishës Ukrainase nga Moska. Në shenjë proteste, Kisha Ortodokse Ruse shkëputi marrëdhëniet me Konstandinopojën. Pavarësisht se Rusia i ka ndaluar priftërinjtë nga degët e kishës besnike të Moskës të marrin pjesë në event, dy peshkopë të tyre raportohet të kenë mbërritur në këshillin në Kiev.
Presidenti Petro Poroshenko po ashtu ishte i ftuar nderi: “Ju lutem të qëndroni dhe të luteni që Kisha Ukrainase të krijohet sot”.
Takimi mbahet në katedralen e lashtë të Shën Sofisë, një nga monumentet më të famshme të Kievit. Klerikët ukrainas nga denominime të ndryshme ortodokse do të zgjedhin liderin e kishës së re.
Para takimit, patriarku Kirill, shefi i Kishës Ortodokse serbe, i kërkoi liderëve fetarë dhe botërorë të mbrojnë besimtarët dhe klerikët në Ukrainë nga ajo që ai e quajti persekutim.
Kisha Ortodokse ukrainase ka qenë nën patriarkatën e Moskës prej shekujsh. Por, tensionet brenda kishës u shtuan pasi Ukraina u bë e pavarur në 1991. Shkëputja u nxit akoma më shumë pas vitit 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë dhe separatistët e mbështetur nga Rusia ndezën tensionet në lindje.