Një student i pranishëm në takimin e kryeministrit Rama në Universitetin e Vlorës ia ka numëruar kreut të qeverisë të gjitha problematikat e qeverisjes së tij që shkojnë përtej arsimit të lartë.
Studenti i tha Ramës se është bërë bajat bashkë me qeverisjen e tij dhe se nëse do kishte mundësi të zgjidhte do pranonte më mirë të shkonte të pranonte tualetet në Gjermani sesa të rrinte këtu.
“Megjithë shpirt doja që të dilja me ata që u larguan sot nga takimi, ju po na vrisni shpresën. Më vjen rëndë. Më mirë të pastrosh haletë jashtë vendit se të jetosh këtu. Do doja të ikja dhe të merrja me vete të gjithë familjen, gjithë sa kam. Jeni bërë shumë bajatë mo vëlla, nuk po ju durojmë dot më.” – tha studenti.
Më tej ai tregoi se një grup i FRESSH-it e kishin kapur dhe i kishin ofruar 50 mijë lekë për t’u anëtarësuar në portalet e qeverisë.
“Një grup FRESSH-istësh më kapën për zgjedhje duke më kërkuar kartën e identitetit për të më anëtarësuar nëpër portalet tuaja. Ndihem i degjeneruar. Ata të japin 50 mijë lek, jeni bërë shumë bajat. Nuk durohet më mo vëlla. Kam pasur disa herë raste të iki nga Shqipëria dhe skam ikur, në Gjermani. Dhe gabim kam bërë.” – shtoi ai.