Vendosni fjalën kyçe....

SHBA rrit rezervat e naftës, vë nën presion çmimet


Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm në sesionin e sotëm, por megjithatë vijojnë të tregtohen në nivelin më të ulët në më shumë se një vit. Fitimet po kufizohen nga rritja e rezervave në SHBA dhe nga shqetësimet që kanë të bëjnë me ngadalësimin e ekonomisë globale. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 53.3 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 45.8 dollarë për fuçi.

Më herët gjatë javës, çmimet e naftës ranë në nivelin më të ulët në 18 muajt e fundit, për shkak të rritjes së rezevave globale, si pasojë e shtimit të prodhimit dhe ngadalësimit të kërkesës. Referuar të dhënave në SHBA, rezervat e naftës u rritën me 6.9 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 21 dhjetor, në totalin e 448.2 milionë fuçive, referuar të dhënave të Institutit amerikan të Naftës. Megjithatë, investitorët po presin të dhënat zyrtare që publikohen nga Administrata për Informimin mbi Energjinë, më vonë gjatë ditës së sotme.

Tashme SHBA është prodhuesi më i madh në botë, duke prodhuar 11.6 milionë fuçi në ditë, më shumë se Rusia dhe Arabia Saudite. Ndërkohë, ministri rus i Energjisë, Alexander Novak deklaroi se, rritja e proteksionizmit dhe paparashikueshmëria e administratës amerikane ka kontribuar shumë në paqendrueshmërinë e çmimeve të naftës, gjatë dy viteve të fundit. Novak tha se, Rusia do të ulë prodhimin e naftës midis 3 dhe 5 milionë ton, në gjysmën e parë të 2019-ës, si pjesë e marrëveshjes me OPEC.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *