Politikani gjerman Frank Magnitz, po lufton për jetën në spital, pas një sulmi nga tre persona ende të paidentifikuar.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, ku kryetari i qytetit të Bremenit, të Partisë AfD (Alternativa për Gjermaninë), mbërriti në spital me plagë në kokë.
Në një deklaratë për mediat, dega e partisë së krahut të djathtë në Bremen tha se sulmi ishte “Një vrasje në tentativë me motive politike”.
Partia e AfD-së ka publikuar dhe imazhet e kryetarit të plagosur.
“RT” shkruan se tre burra të armatosur me shkopinj druri, e rrahën politikanin duke e goditur disa herë derisa një punonjës ndërtimi e pa sulmin dhe u përpoq të ndërhynte.
Sipas deklaratës, sulmi u bë menjëherë pasi Magnitz u largua nga një pritje e Vitit të Ri.
“Sot është një ditë e zezë për demokracinë në Gjermani.”, thuhet në deklaratën e AfD-së, ku shtohet se Magnitz mbetet në gjendje të rëndë.
“Ai u rrah duke u lënë gjysmë vdekur”, shkroi zëdhënësi i AfD-së, Jörg Meuthen, në Twitter. Ai e quajti sulmin një “komplot frikacak dhe të neveritshëm”.
Ndërsa policia vazhdon kërkimin për sulmuesit, politikanët gjermanë kanë dënuar brutalitetin e incidentit.
“Shpresoj që autorët do të hetohen së shpejti dhe do të dënohen”, tha deputeti gjerman i Partisë së Gjelbër, Cem Özdemir, duke shtuar se nuk ka justifikim për dhunën “madje edhe kundër AfD-së”.