Kryeministri francez Edouard Philippe ka deklaruar se qeveria do të tregohet më strikte me protestat e paautorizuara duke ashpërsuar ndëshkimet, duke iu referuar kështu protestave të “Jelekëve të Verdhë”.
“Masat e reja do të rrisin ndjeshëm dënimin për njerëzit që marrin pjesë në trazira”, tha Philippe, duke shtuar se ende ishte e nevojshme ruajtja e lirisë për të demonstruar në Francë, shkruan RT.
“Ata që duan të protestojnë në mënyrë paqësore nuk duhet të dënohen”, tha ai.
Njoftimi vjen si pjesë e masave të reja të “rendit publik” të zbuluara nga qeveria, pas dhunës mes policëve dhe protestuesve në protestat e “Jelekëve të Verdhë”.
Zyra e Philippe tha në një deklaratë të hënën, se qeveria do të merrte “një qëndrim shumë të fortë” kundër “dhunës së vazhdueshme të papranueshme në të gjithë vendin”.
Philippe gjithashtu tha për kanalin francez “TF1” se një forcë e madhe policore prej 80,000 efektivësh do të vendoset në Francë të shtunën e ardhshme, duke përfshirë 5,000 të tillë vetëm në Paris.
“Ne nuk mund ta pranojmë që disa njerëz të përfitojnë nga këto demonstrata për të prishur e për të djegur.”, tha Philippe.