Presidenti amerikan, Trump, mbajti një fjalim nga Zyra Ovale të martën, duke folur për krizën në kufirin jugor.
“Kjo është një zgjedhje mes së drejtës dhe të gabuarës, drejtësisë dhe padrejtësisë”, tha Trump në fjalimin e tij prej tetë minutash, duke e përshkruar atë si “një krizë zemre dhe një krizë shpirti”.
Presidenti detajoi emigrimin e vazhdueshëm dhe krizën e emigracionit të paligjshëm, por nuk foli për gjendje të jashtëzakonshme, që do e lejonte atë të zhvendoste fondet për të financuar sigurinë e kufirit pa miratimin e Kongresit.
“Ky është cikli i vuajtjes njerëzore që unë jam i vendosur të përfundoj,” tha ai.
Ai vuri në dukje se gratë dhe fëmijët e emigrantëve ishin “viktima” të sistemit të prishur të emigracionit, duke përmendur në mënyrë të veçantë më shumë se 20.000 fëmijë të sjellë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara.
“Këta fëmijë përdoren si mburoja njerëzore nga bandat e pamëshirshme,” tha ai.
Presidenti përshkroi problemet e vazhdueshme me drogën dhe krimin përgjatë kufirit, duke rrezikuar jetën e amerikanëve.
Ai përsëri deklaroi kërkesën e tij për një mur prej 5.7 miliardë dollarësh, por tha se do të ishte një “barrierë çeliku në vend të një muri betoni”.
“Pse politikanët e pasur ndërtojnë mure, gardhe dhe porta jashtë shtëpisë së tyre?” Pyeti ai.
“Ata nuk ndërtojnë mure sepse e urrejnë njerëzit jashtë, por sepse e duan njerëzit brenda.”