Në aeroportin “Nënë Tereza” janë riatdhesuar rreth 100 azilkërkues shqiptarë nga Franca e Gjermania. Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda e cila ndodhet në Rinas, ka bërë një apel për shtetasit shqiptarë të mos aplikojnë për azil të paligjshëm në vendet e BE-së, pasi shanset për ta përfituar janë ‘zero’. Ajo ka sqaruar se e drejta për të migruar i përket çdo shtetasi, por vetëm nëpërmjet procedurave normale, ligjore të pranuara nga të gjitha vendet demokratike.
Voda ka nënvizuar faktin se vendet e BE-së kanë nisur të aplikojnë dispozita ligjore më të ashpra ndaj azilkërkuesve shqiptarë, sidomos Gjermania dhe Franca
“U kryen dy aksione ri-atdhesimi të shtetasve shqiptarë azilkërkues nga dy vendet e BE-së, Franca dhe Gjermania. Janë operacionet e para të riatdhesimit për vitin 2019. Në total janë rreth 100 shtetas shqiptarë, të cilët kanë kërkuar azil në këto vende të BE-së, por që sigurisht kërkesat e tyre nuk janë pranuar dhe sot ata janë riatdhesuar në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Ajo bëri me dije se përsa i përket legjislacionit të vendeve të BE-së, që ndoshta deri pak kohë më parë ka qenë pak “bujar” në lidhje me kërkesat e shqiptarëve për azil, ky legjislacion tashmë në Gjermani ka ndryshuar, madje do të ndryshojë prapë.
“Legjislacioni është ashpërsuar dhe është reduktuar koha e procesimit të kërkesave për azil të shtetasve shqiptarë. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Francën. Duke filluar nga janari 2019, legjislacioni francez i ndryshuar ka kaluar në parlamentin francez, shumë shpejt hyn në fuqi dhe ky legjislacion do të ashpërsohet. Kriteret do të jenë shumë më të rrepta, koha e shqyrtimit të kërkesës, pra aplikimit për azil do të jetë shumë më e shkurtër, dhe shtetasit shqiptarë të cilët padrejtësisht kanë aplikuar për azil në Francë, do të kthehen, do të riatdhesohen në territorin e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh zv.ministrja.
Ajo iu bëri thirrje shtetasve shqiptarë, të gjithë atyre që duan të lëvizin, “patjetër është e drejta e tyre, që duan të migrojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, të zgjedhin rrugën e migrimit të sigurt dhe të rregullt”.
“Disa nga vendet e BE-së, në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë, kanë hapur qendra ku janë të mirëpritur të gjithë ata qytetarë, shtetas shqiptarë të cilët duan të punësohen jashtë vendit, për të parë mundësinë për t’u punësuar dhe për të migruar në rrugë të rregullt.
Kështu që thirrja ime do të ishte të zgjedhin mundësitë dhe jo migracionin e parregullt. Kjo ka qenë edhe motoja e Ministrisë së Brendshme, në një fushatë të gjerë ndërgjegjësimi në të 12 qarqet e Shqipërisë gjatë vitit 2018. Është një fushatë ndërgjegjësimi që ne duam ta përsërisim, pasi shohim se njerëzit kanë nevojë për informacion, kanë nevojë të dinë cilat janë pasojat e migracionit të parregullt. Mjafton të them që shumë ndoshta prej të miturve, grave apo vajzave mund të bëhen dhe viktima të mundshme trafikimi, ndaj ju lutem zgjidhni mundësitë dhe jo migracionin e parregullt!”, tha ajo.