Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas lajmit se Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për disa persona, të dyshuar për krijimin e skemave mashtruese me qëllim kreditimin e TVSH-së dhe duke dëmtuar buxhetin e shtetit.
Rama paralajmëron biznesin duke i kërcënuar se “kush luan me taksat i gjen belaja”.
“Ulja e taksave e lehtësimi tërësor i biznesit, synojnë dhe uljen e informalitetit dhe evazionit fiskal! Arrestimi i një duzine shkelësish dhe shpallja në kërkim e një tufe tjetër nga biznesi i madh, për mashtrim me taksat, është mesazh i qartë: Mos luani me taksat se ju gjen belaja.”– shkruan Rama.
Në total nga Prokuroria e Tiranës janë lëshuar 25 urdhërndalime, për 25 persona që figurojnë administratorë të subjekteve të dyshuara fiktive, që kanë lëshuar fatura të falsifikuara për subjekte të treta, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 miliardë lekësh.
Deri më tani janë ekzekutuar 13 urdhërndalime, ndërsa 12 persona të tjerë janë shpallur në kërkim.