Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, ka sulmuar presidentin Meta lidhur me kthimin në Kuvend për rishqyrtim të Ligjit për Kadastrën.
Në deklaratën e tij për mediat, Lame tha se as godina e Presidencës, as Kuvendi, as Ministria e Jashtme dhe as Kryeministria, vend ku Meta kishte ushtruar detyrën e tij në kohë të ndryshme nuk ishin të regjistruara dhe nuk kanë certifikatë pronësie.
Ai tha më tej se në vend ka më shumë se 600 mijë prona private të paregjistruara dhe vonesa në miratimin e ligjit vetëm sa shtonte problematikën sidomos te familjet dhe fermerët që presin miratimin e ligjit dhe veprimin e tij duke shtuar se vonesa e këtij ligji penalizon çdo shqiptar.
“Mirë se 74 deputetëve që do ta rivotojnë ligjin e Kadastrës po ju themi të presin, po si t’ua shpjegojmë hallin e Presidentit 60.000 familjeve që presin të mbyllin legalizimet, 220.000 fermerëve që presin të regjistrojnë tokën, 50.000 familjeve që presin të ligjërojnë banesat e vjetra, apo 2.800.000 pronave që presin të rimaten nga themelet se janë lëmsh.
Nëse për shumë ligje të tjera që Presidenti ka kthyer, vonesa penalizon grupe të veçanta njerëzish, kthimi i Ligjit të Kadastrës penalizon çdo shqiptar që ka një çerek shekulli që gjen belanë me pronën.” – tha Lame.
Më tej ai shtoi se në 14 faqet e raportit të kreut të shtetit për ligjin në fjalë nuk kishte pasur asnjë argument.
“Duke qenë njeri i letrave, modestisht di të vlerësoj gjënë e shkruar. Ndaj admiroj aftësinë e Presidencës për të mbushur 14 faqe kundër ligjit të Kadastrës dhe të mos thojë asgjë. Kemi që dje qe jemi mbedhur dhe përpiqemi të gjejmë një argument në ato 14 faqe dhe s’po ja dalim dot. Sidoqoftë, njërën prej shqetësimeve presidenciale do më lejoni ta analizoj.
Presidenti shkruan se “me këtë ligj Kryeministri merr atributet e administratorit të Regjistrit të Pasurive të paluajtshme”. Kaq u desh që ca nga ato portalet që bëjnë lëmsh dynjanë, të shkruanin se Edi Rama po grabit regjistrin e pronave të shqiptarëve.
Dëshiroj të siguroj Presidentin se, jo vetëm Kryeministri i sotëm, por asnjëri nga 34 Kryeministrat e historisë së këtij vendi nuk e kanë patur idenë se si lexohet Regjistri i Hipotekës, ndaj s’kanë ç’e duan. Veç kësaj, unë u përpoqa të bëj verifikime dhe nuk më rezulton që Edi Rama të ketë ndërmend të çojë në Surrel arkivin e Kadastrës.” – shtoi Lame.