Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi bëri deklaratën që tronditi publikun mbrëmjen e kaluar ndërsa ishte e ftuar në emisionin “Open”, kur tha se është kërcënuar në rrjetet sociale nga persona të cilët i ka identifikuar si anëtarë të grupeve kriminale të lidhura me politikën dhe nga kjo ishte prekur dhe vajza e saj e vogël.
“Vajzën e vogël, e kam dërguar në shkollë jashtë me konvikt e izoluar, sepse nuk dua që ajo të rrezikojë, sepse duhet të garantoja jetën e vajzës. Unë jam kërcënuar në rrjetet sociale, e jo vetëm”, u shpreh ajo, duke shtuar se edhe pse ka kontaktuar me policinë nuk ka besim në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, e po mundohet t’i zgjidhë vetë këto çështje.”, tha Kryemadhi e prekur.
Pas deklaratës së Kryemadhit, bashkëshorti i saj dhe presidenti i Republikës Ilir Meta tha në një studio tjetër se nuk dinte gjë lidhur me këtë çështje.
E pyetur nga gazetarët lidhur me këtë deklaratë të Metës, Kryemadhi u përgjigj se Meta nuk do që të shprehet rreth kësaj çështje.
“Sigurisht që nuk di gjë se Ilir Meta di vetëm dekretet e presidentit. Po të dinte Ilir Meta për gjërat e tjera, do të kishim bërë shumë gjëra të tjera më përpara. Ilir Meta e di shumë mirë por ka një gjuhë të drunjtë përpara gazetarëve dhe përballë publikut, prandaj dhe publiku ka dhe perceptime shumë të gabuara për Ilir Metën dhe nuk e njeh fare Ilir Metën. Është diskutuar por ai nuk do të shprehet. Ai sigurisht që është i informuar, nuk do të shprehet dhe bën shumë mirë. Ai gjithmonë është një njeri i ngurtë në opinionin publik. Nëse Meta do të ishte më i vërtetë me publikun do të ishte më i pranueshëm“, u përgjigj Kryemadhi.
Pas këtij rrëfimi Kryemadhi dha një mesazh për policinë që të mbrojë qytetarët.