Hekuran Hoxha, 48-vjeçari i vënë në pranga sot në kuadër të operacionit “Vol-Vo 4”, gjatë të cilit u goditën 4 grupe kriminale, akuzohet për laboratorin e heroinës që u zbulua në Brenog të Hasit.
Në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, renditen të gjitha veprimet hetimore, përgjime telefonike e ambientale, gjatë të cilave dalin në skenë emrat e të gjithë personave të përfshirë në organizimin e laboratorit të drogës. Sipas veprimeve hetimore, ideatori i ndërtimit të një objekti të tillë për përpunimin, jo vetëm të heroinës, por edhe të kokainës është një biznesmen nga Tirana, pronar i një hoteli, në afërsi të Aeroportit të Rinasit.
Nga të dhënat e siguruara nga dosja e Prokurorisë, biznesmeni Admir Hoxha, ende në kërkim, është njeriu që ka udhëhequr ngritjen e këtij laboratori në bashkëpunim me disa anëtarë të arrestuar të grupit kriminal nga Shijaku.
Sipas Prokurorisë, Admir Hoxha ka mbajtur kontakte me shtetasit Hekuran Hoxhën dhe Saimir Gjepalin, nga Shijaku me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike. Policia ka arrestuar më herët 5 persona për laboratorin e heroinës në Has, dy prej të cilëve u liruan nga Gjykata, që dyshohet se ishin punonjës. Ndërkohë, në kërkim janë dy shtetas turq. Bëhet fjalë për Iskënder Sale, 35 vjeç dhe Nejdet Cesuroglu, 49 vjeç. Këta shtetas janë të akuzuar për prodhim dhe shitje narkotikësh, trafikim narkotikësh dhe grup i strukturuar kriminal. Sipas Prokurorisë ata janë pritur nga Admir Hoxha në hotelin e tij pranë Rinasit, së bashku me shtetasin kosovar, Xhemal Shala, shkruan Panorama.
Sipas dosjes së Prokurorisë, dy nga anëtarët e grupit të Shijakut, Sajmir Gjepali dhe shtetasi Hekuran Hoxha, i cili ka qenë i dënuar më parë në Turqi si i akuzuar për trafik heroine, ka pasur komunikime me biznesmenin nga Tirana për laboratorin e drogës në Has. Prokuroria ka dokumentuar një takim mes Admir Hoxhës me dy shtetasit turq Nedjet Cesuroglu allias Lavdërim Limani dhe Iskender Sale në hotelin e tij në Rinas, si dhe me shtetasin nga Kosova, Xhemal Shala. Këta dy persona nga Turqia, sipas Prokurorisë kanë sjellë lëndën e parë për ta kthyer në heroinë. Admir Hoxha nga vëzhgimet në terren rezulton se është personi që kishte përgatitur ambientin e kthyer në laborator për prodhimin e lëndës narkotike në bashkëpunim me persona ende të paidentifikuar. Nga provat e mbledhura në laborator krahas lëndës së parë ka rezultuar se ishte prodhuar 182.5 kg drogë. Prokuroria mbërrin në përfundim se, të dhënat e përftuara deri më tani tregojnë se lëndët dhe sendet material të sekuestruara shërbenin për prodhimin e lëndëve narkotike si ajo e heroinës.
Sipas Prokurorisë, Xhemal Shala, Admir Hoxha dhe dy shtetasit turq, në bashkëpunim mes tyre në formën e një grupi të strukturuar kriminal janë përfshirë në prodhimin, shitjen dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Admir Hoxha dhe bashkëpunohet e tij turq dhe kosovar vijojnë te jenë në kërkim nga Policia. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, Admir Hoxha rezulton të jetë pronar i një hoteli në Rinas. Ky biznes rezulton të jetë regjistruar në vitin 2011, por më 2 tetor të këtij viti mban statusin “i pezulluar”. Sipas dosjes së Prokurorisë këta persona janë mbajtur nën vëzhgim nga oficerët e Policisë Gjyqësore që po merreshin me hetimin e çështjes.