Vendosni fjalën kyçe....

Tragjedia që po mban spanjollët në ankth, do shpëtojë Juleni i vogël? (VIDEO)


Në orën 01:57 të dielën e 13 janarit, qendra e shërbimit të urgjencës të Malagas mori një telefonatë. Një grua tha në anën tjetër të telefonit: “Një fëmijë ka rënë poshtë në një vrimë të vogël, me diametër rreth 40 centimetra. Ai duhet të shpëtohet. Nëna e tij po qan dhe bërtet”.

Një çift ishin duke ecur kur dëgjuan britma pranë një prone rurale afër Totalit, një qytet në Malaga në perëndim të Spanjës.

“El Pais” shkruan se pronari i tokës dhe gruaja e tij, kushërinjtë e prindërve të fëmijës, të gjithë ishin në një gjendje paniku dhe nuk kishin thirrur as shërbimet e emergjencës. Kështu çifti i udhëtarëve mori iniciativën për të thirrur emergjencën.

Julián Moreno, drejtor teknik i zjarrfikësve, ishte me familjen e tij kur mori thirrjen nga shërbimet emergjente. Ai shpjegon se ekipi i parë që do të mbërrinte ishte nga komuna Rincón de la Victoria. “Në fermë, zjarrfikësit zbuluan se në të vërtetë kishte një pus, dhe informacioni që u ishte dhënë ishte se ky fëmijë mund të ishte brenda. Prindërit ishin shumë të shqetësuar dhe kur arrita pak më vonë, ata tashmë ishin dërguar në një zonë më të qetë. “

Brenda gjysmë ore, ekipet e të gjithë sektorëve të shërbimeve të emergjencës kishin ardhur në vendin e ngjarjes, duke përfshirë zjarrfikësit, personelin e Mbrojtjes Civile dhe forcat e specializuara të Gardës Civile: Grupi i Lartë i Shpëtimit Malor (GREIM) dhe Grupi i Specialistëve të Aktiviteteve Nën-ujë(GEAS) .

Secili prej tyre studionte pusetën dhe arritën në përfundimin se telefonuesja ishte e gabuar: Vrima, apo pusi nuk ishte i gjerë 40 centimetra, por vetëm 25 centimetra dhe ishte i gjatë 100 metra.

Asnjë nga personeli emergjent nuk kishte parë ndonjë gjë të tillë më parë. Do të ishte e pamundur që dikush të zbriste poshtë për të shpëtuar fëmijën.

Sipas prindërve të fëmijës, Victoria García dhe José Roselló, djali i tyre Julen ishte dy vjeç dhe peshonte vetëm 11 kilogramë. Julen kishte rënë poshtë në një vrimë, në të cilën që askush që ishte më i madh se ai nuk mund të futej brenda.

“Nuk ka shpëtim tjetër si ky në botë, por kemi menduar zgjidhje të reja”, tha Moreno, kreu i zjarrfikësve.

Specialistët arritën në këtë zgjidhje, shpimi i një tuneli paralel me pusin ku ka rënë Julen. Ekipet e shpëtimit në Malaga të Spanjës arritën të përfundonin dy netë më parë tunelin vertikal prej 60 metrash, paralel me vrimën e thellë në të cilën ka rënë prej dhjetë ditësh, vogëlushi dyvjeçar Julen Rosello.

Në mesditën e së hënës, dy minatorë të Brigadave të Asturiasit, pas zbritjes me një kapsulë metalike, do të hapin me lopata një tunel horizontal në drejtim të vendit ku mendohet se ndodhej fëmija, punë kjo që mund të kërkojë 12-14 orë të tjera, pasi terreni është i vështirë.

Vinçi, që do të ulë kapsulën metalike të shpëtimit për Julenin ka mbërritur në qytezën Totalan të Spanjës. Vinçi është tetë metra i gjatë dhe do të përdoret të zbresë kasulën nëpër tunelin vertikal.

Mediat spanjolle janë duke e ndjekur minutë pa minute operacionin e jashtëzakonshëm të shpëtimit.

Spanja po pret me ankth, përfundimin e një operacioni të jashtëzakonshëm dhe të pandodhur më parë: shpimin e një tuneli mbi 60 metra të thellë në një terren të panjohur,  për të gjetur një fëmijë 2-vjeçar që ka rënë në një zgavër të thellë 100 metra dhe vetëm 25 cm të gjërë, një zgavër ku askush nuk mundet dot të hyjë.

Familja e Julen po e përjeton shumë keq këtë tragjedi, sepse kjo është e dyta në familjen e tyre: një vit më parë ata humbën një djalë 3-vjeçar, që vdiq papritmas duke shëtitur në plazh, nga probleme shëndetësore. Gjendja e Julenit të vogël ende nuk dihet./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *