Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës dhe ish-kryenegociatorja e dialogut me Serbinë, Edita Tahiri, ka folur për ndryshimet e fundit lidhur me Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri.
Ndërsa ishte e ftuar në “ABC News”, Tahiri tha se propozimi i Gent Cakajt nga kryeministri Edi Rama ishte djallëzore dhe në dëm të Kosovës.
“Kandidimi i këtij personi nga z. Rama ishte djallëzor. Nuk është problemi të individi, por te qëndrimet e Z. Rama. Ai është duke kërkuar persona, me gjasa, me prirje për dakordësi në ndryshimin e kufijve të Kosovës.”– tha Tahiri.
Ish-ministrja shtoi se “Edi Rama duhet të shprehet qartë kundër ndryshimit të kufijve. Nuk janë shqiptarët ata që duhet të japin toka për të krijuar Serbinë e Madhe”.
Kujtojmë se pavarësisht se presidenti i Republikës Ilir Meta nuk e dekretoi Gent Cakajn si ministër të Jashtëm, Rama e mori vetë këtë post por sërish duke ia deleguar detyrën zv.ministrit Cakaj.
Ish-ministrja Tahiri mbështeti qëndrimin e presidentit Meta ndërsa kritikoi Ramën dhe presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.
“Në fakt jam prononcuar dhe kam dhënë mbështetjen time për një qëndrim kombëtar që ka mbajt Meta. Qëndrimi i Ramës në këtë rast ishte djallëzor. Nuk është problemi tek individi por problemi është tek vetë zoti Rama sepse ai dhe zoti Thaçi në Kosovë kanë hyrë në këto lojëra të ndryshimit të kufijve. Por ai ka rastin të dalë dhe të deklarohet se është kundër ndryshimit të kufijve. Shqipëria është prononcuar, edhe Meta, PD dhe Berisha, por edhe Ditmir Bushati jo vetëm që ishte i qartë dhe humbi vendin e punës si ministër për këtë punë, që u deklarua kundër ndryshimit të kufijme. Rama të dalë publikisht kundër ndryshimt të kufijëve të Kosovës. Ne shqiptarët gjithmonë kemi qenë të cunguar. Ne nuk jemi në atë pozitë që të protësojmë axhendat serbo- ruse”, tha më tej Edita Tahiri.